Të moshuarit që vuajnë nga ankthi mund të përballen me një rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës, sipas një studimi të ri shkencor.
Hulumtimi, i publikuar në revistën “Journal of the American Geriatrics Society”, tregon se kjo lidhje është e rëndësishme, por gjithashtu se rreziku mund të ulet ndjeshëm nëse ankthi trajtohet dhe menaxhohet me kalimin e kohës, shkruan Health transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët theksojnë se këto gjetje nënvizojnë rëndësinë e zbulimit dhe trajtimit të hershëm të ankthit si një strategji e mundshme për parandalimin e përkeqësimit të funksioneve njohëse. Ankthi është një gjendje e përhapur që shoqërohet me simptoma emocionale dhe fizike, dhe prej kohësh dihet se ndikon negativisht në shëndetin mendor.
Studimet e fundit sugjerojnë se ndikimi i tij shtrihet edhe në shëndetin e trurit.
Sipas autorëve të studimit, personat mbi moshën 70 vjeç që përjetojnë ankth, qoftë kronik apo të shfaqur rishtazi, kanë një probabilitet më të lartë për të zhvilluar demencë në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre që nuk përjetojnë ankth.
Megjithatë, studimi sjell edhe një lajm inkurajues. Të moshuarit që arritën të menaxhonin ose ta kapërcenin ankthin me ndihmë profesionale ose strategji të përshtatshme, shfaqën një ulje të ndjeshme të rrezikut për demencë.
“Gjetjet tona sugjerojnë se ankthi mund të jetë një faktor i ri rreziku për demencën, por trajtimi i tij mund të ketë efekte mbrojtëse për shëndetin e trurit,” deklaroi Dr. Kay Khaing, ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë dhe Shëndetit Publik në Universitetin e Newcastle.
Ky zbulim thekson rëndësinë e përfshirjes së shëndetit mendor në kujdesin gjithëpërfshirës për të moshuarit. /Gazeta Shneta/


