Një infeksion i traktit urinar është i zakonshëm, por mund të jetë serioz.
“Infeksionet e thjeshta të traktit urinar mund të menaxhohen nga ofruesi juaj i kujdesit parësor, por kur ato bëhen komplekse mund të çojnë në probleme shëndetësore andaj duhet të kërkoni kujdesin e një specialisti”, thotë Dr. Mitchell Humphreys, një urolog në Mayo Clinic, transmeton Gazeta Shneta.
Çfarë është një infeksion i traktit urinar?
Sistemi urinar ndihmon trupin të eliminojë mbetjet, ujin e tepërt dhe kripën. Këtu përfshihen veshkat, ureterët, fshikëzën dhe uretrën. Bakteret mund të hyjnë në çdo pjesë të sistemit, duke shkaktuar një infeksion.
Cilat janë simptomat e infeksionit të traktit urinar?
Një infeksion i traktit urinar mund të shkaktojë simptoma, por jo gjithmonë. Simptomat e zakonshme janë:
– Një dëshirë e fortë për të urinuar. Edhe pas përdorimit të tualetit, ajo ndjesi “për të shkuar” në tualet mund të mos largohet.
– Një ndjesi djegieje ose siklet gjatë urinimit.
– Urinimi i shpeshtë, nxjerrja e sasive të vogla të urinës.
– Gjak në urinë.
– Urinë me pamje të turbullt ose me erë të fortë.
– Dhimbje pelvike. Gratë, në veçanti, mund të ndjejnë dhimbje dhe presion rreth kockës pubike.
Simptomat gjithashtu mund të varen nga ajo pjesë e traktit urinar që është prekur. Nëse ndjeni dhimbje në shpinë ose në njërën anë, kjo mund të jetë nga një infeksion i veshkave. Nëse dhimbja është në pjesën e poshtme të barkut, një infeksion i fshikëzës mund të jetë fajtori.
Cilët janë faktorët e rrezikut për një infeksion të traktit urinar?
“Në mënyrë tipike, sistemet tona imune janë të shkëlqyera në luftimin dhe parandalimin e një infeksioni të traktit urinar por ka disa situata dhe individë të caktuar që mund të jenë më të prirur ndaj këtyre infeksioneve,” thotë Dr. Humphreys.
Anatomia e femrës: Gratë kanë rrezik më të madh për një infeksion të traktit urinar. Për shkak se uretra e një gruaje është më e shkurtër se ajo e një burri, bakteret mund të hyjnë më lehtë në sistemin urinar. Menopauza gjithashtu rrit rrezikun e infeksioneve të traktit urinar tek gratë.
Aktiviteti seksual: Infeksionet e traktit urinar nuk janë infeksione seksualisht të transmetueshme, por aktiviteti seksual rrit rrezikun për një infeksion të traktit urinar. Marrëdhënia seksuale mund të shkaktojë që bakteret të hyjnë në uretër.
Disa metoda kontraceptive: Diafragmat dhe spermicidi, për shembull, rrisin rrezikun për infeksione të traktit urinar.
Përdorimi i kateterit: Kateterët mund të përdoren nga njerëzit në spital ose nga ata që janë të paralizuar ose kanë probleme të tjera neurologjike që e bëjnë të vështirë urinimin.
“Një kateter është një trup i huaj dhe mund të shërbejë si një autostradë për të lejuar bakteret të kenë akses në fshikëzën urinare,” thotë Dr. Humphreys.
Cilat janë trajtimet për infeksionet e traktit urinar?
Zakonisht trajtohen me antibiotikë. Sigurohuni që të merrni ilaçin sipas udhëzimeve. /Gazeta Shneta/


