Citomegalovirusi është një virus shumë i zakonshëm që shpesh infekton fëmijët e vegjël dhe adoleshentët.
Shumica e njerëzve e marrin virusin pa e kuptuar, sepse zakonisht nuk shkakton simptoma të dukshme.
Rreth gjysma e popullsisë është infektuar me CMV deri në moshën 18-vjeçare. Pasi infektoheni, virusi mbetet në trup në formë joaktive dhe mund të riaktivizohet kur sistemi imunitar dobësohet, për shembull gjatë shtatzënisë, shkruan burimi PregnanacyBirthBaby.au transmeton Gazeta Shneta.
CMV përhapet përmes lëngjeve trupore si pështyma, urina, mukusi i hundës, sekrecionet vaginale, sperma dhe qumështi i gjirit.
Mes tjerash, mund të transmetohet edhe nga kollitja, teshtitja ose përmes objekteve të kontaminuara me këto lëngje. Fëmijët e vegjël mund ta përhapin virusin për një kohë të gjatë përmes pështymës ose urinës, ndaj personat që kujdesen për ta janë më të rrezikuar të infektohen.
Nëse një grua infektohet me CMV gjatë shtatzënisë, virusi mund të kalojë përmes placentës dhe të infektojë foshnjën. Kjo quhet CMV kongjenital. Rreziku është më i madh nëse infeksioni ndodh për herë të parë gjatë shtatzënisë, sidomos në gjysmën e parë të saj.
Shumica e foshnjave të lindura me CMV nuk shfaqin probleme, por disa mund të kenë simptoma si skuqje në lëkurë, madhësi më të vogël të kokës, zmadhim të mëlçisë dhe shpretkës, pneumoni ose probleme me trombocitet.
Në disa raste, edhe nëse foshnja lind pa simptoma, mund të zhvillojë më vonë probleme si humbje dëgjimi, probleme me shikimin, vonesë në zhvillim ose kriza epileptike.
CMV zakonisht diagnostikohet me analizë gjaku. Megjithatë, testimi gjatë shtatzënisë nuk bëhet gjithmonë rutinë dhe rekomandohet vetëm në disa situata, si kur gruaja ka simptoma virale, ka kontakt të shpeshtë me fëmijë të vegjël ose kur ekografia e shtatzënisë tregon shenja të mundshme të infeksionit.
Aktualisht nuk ka një trajtim të sigurt që parandalon transmetimin e virusit tek foshnja gjatë shtatzënisë. Nëse një foshnjë lind me CMV, mjekët zakonisht rekomandojnë kontrolle të rregullta të dëgjimit dhe shikimit për të zbuluar herët çdo problem të mundshëm. /Gazeta Shneta/


