Ritmi cirkadian përfaqëson orën e brendshme biologjike të trupit, e cila funksionon në një cikël afërsisht 24-orësh. Ky ritëm rregullon procese të rëndësishme si gjumi dhe zgjimi, niveli i energjisë, oreksi dhe aktiviteti ditor. Një nga mënyrat kryesore për të studiuar këtë ritëm është analiza e modeleve të pushimit dhe aktivitetit gjatë ditës, të njohura si ritme pushim–aktivitet (RAR).
Një studim i fundit ka treguar se çrregullimet në këto ritme mund të lidhen me një rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës. Studimi u publikua në revistën shkencore “Neurology”, organ zyrtar i Akademisë Amerikane të Neurologjisë, dhe sugjeron se individët me ritme cirkadiane më të dobëta ose më të fragmentuara janë më të rrezikuar, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Për këtë kërkim, studiuesit analizuan të dhëna nga studimi i njohur “Atherosclerosis Risk in Communities (ARIC)”. Ata përfshinë 2,183 pjesëmarrës që nuk kishin demencë në fillim të studimit. Të gjithë pjesëmarrësit mbanin pajisje monitoruese kardiake për të paktën 3 ditë, me një mesatare prej 12 ditësh, çka lejoi vlerësimin e detajuar të modeleve të tyre të pushimit dhe aktivitetit.
Gjithashtu, u morën në konsideratë faktorë të tjerë si presioni i gjakut, diabeti, niveli arsimor dhe simptomat depresive. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 79 vjeç dhe periudha mesatare e ndjekjes ishte 3.3 vite, gjatë së cilës 8% zhvilluan demencë.
Rezultatet treguan se një dobësim i forcës së ritmit cirkadian shoqërohej me rritje të ndjeshme të rrezikut për demencë.
Çdo ulje me një devijim standard në forcën e ritmit lidhej me 54% rrezik më të lartë. Po ashtu, rritja e fragmentimit brenda ditës u shoqërua me 19% rritje të rrezikut, duke reflektuar simptoma si përgjumje ditore dhe zgjime të shpeshta gjatë natës. /Gazeta Shneta/


