Qeveria e Danimarkës ka njoftuar se do të ofrojë kompensim financiar për gratë nga Groenlanda, të cilat për dekada u janë vendosur pajisje kontraceptive (IUD) pa dijeninë apo pëlqimin e tyre. Ky vendim pason një kërkim falje publike të kryeministres daneze, Mette Frederiksen, muajin e kaluar.
Sipas një raporti të përbashkët të universiteteve daneze dhe groelandike, deri në vitin 1970 të paktën 4,070 gra dhe vajza janë prekur nga ky program i organizuar për kontrollin e popullsisë, që synonte të pengonte shtatzënitë, shkruan Euronews, përcjell Gazeta Shneta.
Shumë prej tyre kanë rrëfyer se u janë vendosur pajisjet kontraceptive që në moshë shumë të re, pa asnjë shpjegim, duke lënë edhe pasoja shëndetësore.
Aktualisht, 143 gra kanë ngritur padi ndaj shtetit danez, duke kërkuar kompensim në vlerë rreth 43 milionë korona daneze (afro 5.8 milionë euro).
Megjithatë, hetimet dhe dëshmitë tregojnë se numri i viktimave është mijëra herë më i madh.
Kryeministrja Frederiksen ka paralajmëruar krijimin e një “fondi pajtimi”, përmes të cilit do të bëhen pagesa individuale për gratë e diskriminuara.
Një tjetër kërkimfalje zyrtare pritet të jepet në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, në prani të përfaqësuesve të viktimave.
Ky është rasti i dytë i madh ku Danimarka pranon abuzimet e së kaluarës ndaj qytetarëve të Groenlandës, pas skandalit të njohur si “Projekti i Fëmijëve të Groenlandës”, kur fëmijë u morën nga familjet e tyre dhe u dërguan në Danimarkë.




