Autoritetet daneze kanë nisur një fushatë të re ndërgjegjësimi, pasi një anketë zbuloi se gati gjysma e prindërve në Kopenhagë nuk kanë njohuri të mjaftueshme për opioidet për të folur me fëmijët e tyre.
“Po dyshuat se një i ri që njihni po përdor opioide, duhet të veproni”. Ky është mesazhi kryesor që Danimarka dëshiron t’u përcjellë prindërve përmes kësaj fushate të re, që synon t’i inkurajojë ata të flasin me fëmijët e tyre adoleshentë për rreziqet që paraqesin opioidet — një kërcënim në rritje për shëndetin publik në këtë vend nordik, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Fushata u lançua nga autoriteti shëndetësor danez dhe qyteti i Kopenhagës, pasi në një sondazh të kryer në muajin shkurt, 47% e prindërve thanë se nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të diskutuar këtë temë me fëmijët e tyre.
Fushata ofron këshilla nga adoleshentët dhe ekspertët mbi mënyrën se si duhet të flitet me të rinjtë për opioidet — të cilat përfshijnë disa lloje barnash për dhimbje të përshkruara me recetë, por edhe heroinën dhe fentanilin, një opioid sintetik shumë i fuqishëm.
Sipas fushatës, prindërit duhet ta trajtojnë temën në mënyrë të qetë, të kenë pritshmëri të qarta dhe të shmangin tonin moralizues apo reagimet emocionale.
“Me këtë fushatë të re, duam t’i pajisim më mirë prindërit dhe të rriturit e tjerë që janë pranë të rinjve për të folur për opioidet — dhe t’u tregojmë atyre se sa rol të rëndësishëm luajnë për të rinjtë,” tha Jonas Egebart, drejtor i autoritetit shëndetësor danez.
Qasje e re ndaj një problemi në rritje
Kontakti me prindërit është pjesë e një plani të shpallur nga qeveria vitin e kaluar për të parandaluar abuzimin me opioide te të rinjtë — një problem gjithnjë e më shqetësues për shëndetin publik në Danimarkë vitet e fundit.
Edhe pse disa përdorin opioidet në mënyrë të ligjshme — për shembull pacientët me kancer që marrin barna për dhimbje — këto substanca mund të shkaktojnë varësi shumë shpejt dhe të kenë pasoja fatale.
Nga viti 2018 deri në vitin 2023, numri i danezëve nën moshën 25 vjeç që u shtruan në spital për shkak të mbidozës me opioide u rrit nga 142 në 239 — një rritje prej 68%.
Vetëm në vitin 2023, Danimarka raportoi 116 vdekje të lidhura me opioidet, kryesisht me metadon dhe heroinë, sipas të dhënave qeveritare.
Qasja e re e Danimarkës ndaj këtij problemi përfshin një sërë masash. Personat e kapur me opioide dikur ndëshkoheshin vetëm me gjobë, por sipas planit të ri ata mund të përballen edhe me burg. /Gazeta Shneta/



