Ndonëse ishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, Naser Pajazitaj, ishte dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje, me një dënim prej dy vjet e katër muaj.
Në bazë të këtij aktgjykimi, nuk ishte arritur të sigurohen dëshmitë në lidhje me vrasjen e Donjeta Pajazitaj, që ka qenë kushërira e të akuzuarit.
Pas ankesës që është bërë nga Prokuroria Themelore në Pejë, gjykata e apelit ka vendosur që këtë rast ta kthejë sërish në rigjykim. Sipas aktvendimit të Apelit theksohet se gjykata e shkallës së parë, nuk ka arritur të vërtetojë drejtë gjendjen faktike sepse ka kundërthënie në deklaratën e dëshmitarëve, përkatësisht të Arjeta Ukaj dhe Naser Pajazitaj.
Pajazitaj kishte thënë se ditën kur ka ndodhë vrasja e tani të ndjerës Donjeta, ka dalë me vajzën e tij dhe pastaj ka shkuar në varrim, mirëpo gjatë dëgjimit në prokurori e njëjta ka deklaruar se ditën kur është zhdukur Donjeta ‘unë nuk kam dal nga shtëpia’.
Me këtë rast, Apeli ka nxjerrë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj. Derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të ndjerën, e dërgon në bjeshkët e lartcekura, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes.
Derisa trupi i viktimës gjendet pas më shumë se një muaji. Me këtë vepër, Pajazitaj akuzohej se ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë”. Ai poashtu ngarkohej edhe me një vepër tjetër penale ‘’ mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim te paautorizuar të armëve”./Express/