Dy deputete të Partisë Demokratike të Kosovës e kanë kritikuar ashpër ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili vjen nga radhët e partisë së njëjtë.
Deputetja Ganimete Musliu ka kërkuar nga Grupi i Grave Deputete që t’ia dërgojnë një letër Ismailit për t’ia tërhequr vërejtjen për mospjesëmarrjen e tij pas ftesës që i kanë dërguar, shkruan Gazeta Shneta.
“Ju kërkojë që t’ia dërgoni një shkresë dhe t’ia përkujtoni ministrit se 40 gra munden me i shty politikat brenda kuvendit. Prandaj grupi i grave nuk duhet të neglizhohet kështu”, ka deklaruar Musliu në një tryezë të mbajtur gjatë ditës së djeshme të Grupit të Grave Deputete dhe Shoqatës së Mamive të Kosovës.
Por Musliu nuk është e vetmja që ka kritikuar Ismailin. Ka qenë më herët edhe Flora Brovina, e cila madje ka kontestuar përgjegjësinë e tij para Kuvendit.
“Nuk e di nëse ky ministër e kupton përgjegjësinë që e ka ndaj Kuvendit dhe deputetëve”, ka deklaruar Brovina.
“Secili ministër i ri që po vjen në MSH po tenton t’i fillojë projektet nga e para. Ne e kuptojmë se ministri nuk ka përgjegjësi për mandatet e kaluara, por ai duhet të raportojë para deputetëve”, kishte thënë Brovina gjatë një mbledhje të Komisionit të Shëndetësisë ku Ismaili ishte ftuar por nuk kishte marr pjesë. /Gazeta Shneta/