Dhjetëra pacientë detyrohen të presin mbi 3 orë për të marr shërbime në Ambulancat Specialistike në QKUK. Radhët e gjata krijohen në mungesë të hapësirave më të mëdha për këto shërbime
Numër i madh i pacientëve zgjohen herët në mëngjes për të zënë rend në Ambulancat Specialistike në QKUK.
Të rinj e të moshuar detyrohen të presin gjatë për të kryer kontrolle në ambulancat e klinikave, shkruan Gazeta Shneta.
Një pacient 73-vjeç ka ardhur para orës 8 të mëngjesit për të marr numrin, i cili ia siguron vendin për të kryer shërbimin në ambulancën e endokrinologjisë.
Ulur në pritoren e drurit, ai thotë se është lodhur shumë për shkak të orëve të gjata të ndenjes.
Një tjetër pacient në moshë të re, i mbështetur tek dera e ambulancës duke pritur në radhë për të hyrë, thotë se stafi mjekësor po i diskriminon duke futur pacientë të tjerë që nuk janë në radhë.
Pacientët do të detyrohen të presin edhe gjatë për shkak se projekti për Ambulancat Specialistike ende nuk ka përfunduar.
Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së ka thënë se punët janë në përfundim e sipër, por për shkak të mungesës së buxhetit projekti është vonuar.
“Nevojitet buxhet shtesë për të kryer të gjitha punët për shkak se duhet edhe inventar administrativ, pajisje mjekësore dhe medicinale”.
SHSKUK nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar se kur pritet të përfundojë ky projekt. /Gazeta Shneta/