Kosovarët po vazhdojnë të vuajnë për një sistem më dinjitoz shëndetësor. Përveç sfidave në trajtim, shqetësuese mbeten listat e pritjes të cilat vazhdojnë të jenë të gjata me vite. Në Klinikën e Ortopedisë lista e pritjes për qytetarët që kanë nevojë për intervenim në kukë apo në gju është prej vitit 2018. Pra katër vjet duhet të presë një pacient që të vendosë protezë të gjurit apo të kukës në QKUK. E shumë nga ta që kanë qenë në listë të pritjes tashmë kanë vdekur duke mos iu mundësuar intervenimi i nevojshëm transmeton Gazeta Shneta.
Kishte disa muaj pa dalë nga shtëpia. Një grua e moshës rreth 60 vjeç nga komuniteti goran e qe jeton në rrethinën e Prizrenit, pas ekzaminimeve mjekësore, ishte refezuar për protezë të kërdhokullës në Klinikën e Ortopedisë në QKUK. Qysh në vitin 2016, kjo zonjë kishte dorëzuar dokumentacionet përcjellëse për intervenim në këtë klinikë.
Por edhe 6 vjet pas, ajo vazhdon të ketë probleme serioze shëndetësore. Intervenimi në kukë nga mjekët e QKUK-së (Klinikës së Ortopedisë), tek kjo paciente ende s’është bërë.
Nga Shoqata e Pacientëve, thonë se shqetësime kosovarët shprehin për listën e gjatë të pritjes në këtë klinikë.
Besim Kodra i tha Nacionales se në Shoqatë të Pacientëve janë me mijëra ankesa për listat e gjata të pritjes në klinikat kosovare.
“Në Shoqatë të Pacientëve ka shumë ankesa për listë të pritjes. Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor thotë se pacienti ka të drejtë me u trajtu në një afat të arsyeshëm kohor. Afat i arsyeshëm është kur atij nuk i pengohet lëvizja, gjërat të cilat i pengojnë për të bërë një jetë normale”, thotë Kodra.
Ai sqaron se Ortopedia është klinika e cila e ka listën më të gjatë të pritjes në vend.
“Problem përveç që janë furnizimi me medikamente e material, mbetet edhe një mundësi që të bëhen lista fiktive në mënyra që të pengohet qasja e pacientëve për të marrë shërbime në publik, e duke iu mundësuar që të shkojnë në privat. Ne e kemi pasur një ankesë për një grua që ka pasë me u operu në vitin 2016. Prej vitit 2016 ajo grua nuk lëviz. Do të thotë me ia pengu lirinë e lëvizjes në atë formë, nuk është aspak e drejtë”, sqaron tutje Kodra.
Dhjetëra pacientë kanë vdekur derisa kanë qenë në listë të pritjes në Ortopedi
Dhjetëra pacientë kosovarë me probleme ortopedike, nuk kanë arritur të presin trajtimin mjekësor, pasi që ndërkohë kanë vdekur para se t’u vijë radha. Bëhet fjalë për pacientë që ishin në listën e pritjes që nga viti 2018 në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Gani Jashanica, në një deklaratë për Nacionalen ka pranuar se disa pacientë kanë vdekur përderisa kanë qenë në listë të pritjes për intervenim të protezës në gju ose në kukë në këtë klinikë.
“Lista e pritjes është prej 2018-ës deri më 2022-ën, pra 4 vjet. Problemin me lista të pritjes e kemi me proteza të gjurit edhe të kukës. Por kjo listë nuk është reale. Sot shembull (të martën) i kemi thirrë, nja 4 fatkeqesisht kishin vdekë vdekë, disa tjerë kanë shku në privat”, thotë doktori.
Por edhe pse një pacient me probleme ortopedike pret deri në 4 vjet për trajtim, doktori i QKUK-së thotë se ai nuk ka se për çka të ankohet.
“Pacientët nuk kanë se çka me u anku. Ajo është listë që gjithkund në botë pritet për proteza”, konkludon doktori.
Sipas tij në këtë klinikë janë 1 mijë e 30 pacientë që po presin për protezë të gjurit e rreth 380 për protezë të kërdhokullës.
“Ne me këto kushte që i kemi të punës, jemi duke e dhënë maksimumin. Tri salla i kemi, herë njëra punon, e herë jo. Brenda ditës bëhen 1 ose 2 intervenime”, sqaron drejtori i Ortopedisë, Gani Jashanica.
Por në këtë klinikë tash e disa javë mungojnë edhe penjtë për intervenime kirurgjike.
“Deri tash ka pasur furnizim me penj. Por tash nuk kemi. Por tregtarët po manipulojnë me çmime. Penin e 2 eurove po e shesin 10 euro. Tek ne mungojnë disa lloje të penjve”, konfirmon doktori Jashanica.
Por se Klinikën e Ortopedisë shteti do ta ketë prioritet, e pati thënë kohë më parë edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Latifi ka kërkuar që lista e pritjeve për trajtim të pacientëve në Klinikën e Ortopedisë dhe spitale rajonale të zvogëlohet sa më shpejt.
“Jam shumë i interesuar dhe jam duke punuar fort, që kjo listë e pritjes të zvogëlohet në këtë klinikë dhe në spitalet rajonale dhe pacientët të marrin shërbimin e duhur, pa pritje”, kishte thënë Latifi.
E me lista të pritjes të pacientëve QKUK-ja ballafaqohet tash e disa vite. Listë të gjatë të pritjes ka edhe në klinikat tjera për stentim dhe koronarografi.
Si pasojë, shumë qytetarë detyrohen që trajtimin ta gjejnë jashtë institucioneve publike shëndetësore, por edhe jashtë vendit. /Nacionale/