Një përplasje me gjuhë të ashpër dhe gati e dhunshme pati ndodhur vetëm para 6 muajsh në QKUK. Reumatologu Afrim Gashi pati përdorur gjuhë të ashpër në një diskutim me Drejtorin e SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, shkruan Gazeta Shneta.
Siç shihet edhe në videon e siguruar nga Gazeta Shneta ditën e kur pati ndodhur kjo ngjarje, Gashi i afrohet Sejdiut dhe i thotë se kjo çështje rregullohet si të dojë ai dhe e paralajmëron që nuk frikësohet as nga Kadri Veseli e as nga Hashim Thaçi.
“Ndash me Kadrinë ndash me Hashimin, nuk lodhna për këtë punë. Unë i di disa gjëra më mirë se ti. Jam më profesionist se ti”, i thotë ai, Sejdiut. Gashi më pas largohet, për t’u kthyer sërish në korridor ku vazhdon përplasja verbale.
Sejdiu duke zgjatur dorën nga distanca, insiston që diskutimi të mos vazhdojë në publik. Kjo e acaron edhe më shumë Gashin, kur ky i kërkon që të mos ia bëjë me dorë teksa vet ia drejton gishtin dhe i afrohet ballë për ballë.
“Dorën mos ma qo, ja ja me mu dorë mos gabo me qu, edhe pse je drejtor dorën mos ma qo. Ti je i fuqishëm por dorën mos me qo”, i thotë reumatologu Gashi. Kjo përplasje kishte ndodhur për shkak të planeve për të zhvendosur një pjesë të Kardiologjisë e cila është në katin e njëjtë me Reumatologjinë. /Gazeta Shneta/