Në kuadër të Javës së Dhurimit të Gjakut, Qendra për Transfuzionin e Gjakut ka rritur thirrjet për vetëdijesim dhe solidaritet.
Dr. Fetije Daciq nga kjo qendër thekson se “dhurimi i gjakut është akti më i lartë i humanizmit dhe solidaritetit që një person mundet me bo dhe shpeshherë është jetik për të gjithë pacientët që janë në nevojë për transfuzionet e gjakut,” shkruan Gazeta Shneta.
Sipas Dr. Daciq, shumica e pacientëve që marrin gjak nga dhuruesit vullnetarë janë ata që i nënshtrohen ndërhyrjeve të mëdha kirurgjikale, sidomos ato në zemër.
“Zakonisht pacientat që e marrin gjakun prej dhuruesve vullnetarë janë pacientat që kanë intervenime kirurgjike të ndryshme, kardiokirurgjikale, që zakonisht marrin 5 deri në 6 doza gjaku,” thekson ajo.
Dr. Daciq tregon që sfidë e përsëritur për qendrat e transfuzionit është mungesa e dhuruesve gjatë sezonit të verës.
“Zakonisht gjatë muajve të verës kemi një mungesë pak më të theksuar të dhuruesve për shkak të pushimeve,” thekson Daciq.
Ajo përshkruan në detaje edhe procesin e dhurimit.
“Dhurimi i gjakut zakonisht i merr 30 minuta. Dhuruesi vjen në pranim, jepet një kartelë, i merren shënimet, atëherë e kalon një kontroll të mjekut që zgjat 10 minuta. Ekziston mundësia që dhuruesi vetë me u eliminu. Mandej vjen kontrolla mjekësore, nëse i plotëson kushtet, pastaj vjen te dhurimi, ku procesi zgjat 10 minuta dhe qajo doza e gjakut i mbulon më së paku 3 pacientë,” shpjegon Dr. Daciq.
Për sa i përket kritereve për të dhuruar gjak, Dr. Daciq sqaron disa kritere bazë që duhet të përmbushin dhuruesit.
“Kriteret për me qenë dhurues së pari me qenë i gatshëm. Personat 18-65 vjet duhet me pas peshën mbi 50 kg dhe duhet me qenë i shëndetshëm. Nuk duhet me përdor alkool për 24 orë, nuk duhet me përdor medikamente për 24 orë. Janë disa raste që e eliminojnë dhuruesin – sëmundjet kronike, sëmundjet malinje,” shtoi tutje ajo.
Në fund, Dr. Daciq bën një apel për të gjithë qytetarët.
“Jeta është një dhuratë e çmuar – është mirë që me ia mundësu me marrë qat dhuratë me një dhurim të gjakut.”/Gazeta Shneta/
Për më shumë ndiqni videon më poshtë:




