Një studim i ri nga Instituti Glenn Biggs në Boston dhe Studimi Framingham i Zemrës ka zbuluar se dieta me potencial të lartë inflamator, e matur përmes Indeksit Inflamator Dietik (DII), lidhet me një rritje të dukshme të rrezikut për demencë dhe sëmundjen e Alzheimerit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), numri i rasteve me demencë pritet të arrijë në 152 milionë deri në vitin 2050, duke krijuar një barrë të rëndë për familjet dhe sistemet shëndetësore, raporton Medical Xpress, përcjell Gazeta Shneta.
Dieta është një nga faktorët kryesorë që mund të ndihmojë në parandalimin e demencës. Studime të mëparshme kanë treguar se dietat anti-inflamatore, si dieta mesdhetare dhe dieta MIND, mund të ngadalësojnë rënien njohëse dhe të ulin rrezikun e çrregullimeve neurodegjenerative.
Në këtë studim, të botuar në revistën “Alzheimer’s & Dementia”, studiuesit analizuan të dhënat e 1,487 pjesëmarrësve mbi moshën 60 vjeç, të ndjekur për 13 vjet në kuadër të projektit “Framingham Heart Study”. Gjatë periudhës së studimit, 246 persona zhvilluan demencë, përfshirë 187 raste të Alzheimerit.
Rezultatet treguan se për çdo rritje me një njësi në Indeksin Inflamator Dietik, rreziku për demencë u rrit me 21%, ndërsa për Alzheimer me 20%. Personat me dieta më pro-inflamatore kishin deri në 84% më shumë gjasa të zhvillonin demencë sesa ata që ndiqnin dieta anti-inflamatore.
Ushqimet që nxisin inflamacionin përfshijnë yndyrnat e ngopura, sheqernat e shtuara dhe karbohidratet e rafinuara, të cilat lidhen edhe me rreziqe më të larta për diabet, sëmundje kardiovaskulare dhe kancer. /Gazeta Shneta/


