Insomnia dhe vertigo janë gjendje të njohura gjerësisht, madje kanë frymëzuar edhe tituj filmash. Megjithatë, një çrregullim më i zakonshëm se këto dy gjendje, disfagia, mbetet i panjohur për shumicën e njerëzve, sipas një studimi të ri të botuar në revistën “Dysphagia”.
Disfagia është një çrregullim i gëlltitjes që shkaktohet nga probleme me nervat, muskujt ose strukturën e gojës, fytit dhe ezofagut, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Dr. Sonja Molfenter nga Universiteti i Nju Jorkut shpjegon se ushqimi dhe lëngjet mund të kalojnë në mushkëri dhe të shkaktojnë pneumoni, e cila në disa raste mund të jetë fatale.
Rreth 7% e amerikanëve raportojnë vështirësi në gëlltitje, dhe kjo përqindje rritet te personat mbi 65-vjeç.
Megjithatë, njohja publike e disfagisë është shumë e ulët: vetëm 25% e njerëzve dinë çfarë është kjo gjendje, krahasuar me 99% për pagjumësinë dhe 87% për vertigon. Vetëm 4% e njerëzve mundën të identifikonin tre problemet kryesore të disfagisë: kequshqyerjen, pneumoninë dhe uljen e cilësisë së jetës.
Të dhënat nga mbi 296 milionë pacientë treguan se disfagia u shfaq në 2.4% të rasteve, vertigo në më pak se 0.7%, dhe insomnia preku gati 6% të pacientëve.
Dr. Molfenter thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit për disfaginë për të nxitur diagnostikimin e hershëm, përmirësuar aksesin në trajtim dhe siguruar më shumë fonde për kërkime shkencore.
Ky studim nënvizon nevojën për të rritur njohjen dhe trajtimin e një çrregullimi të shpesh të anashkaluar, por me pasoja serioze për shëndetin. /Gazeta Shneta/


