Studiuesit britanikë të onkologjisë kanë publikuar raportin e parë kombëtar strategjik mbi avancimet në vaksinat kundër kancerit dhe mundësitë që ato ofrojnë për pacientët.
Ky raport, botuar në revistën “Cambridge Prisms: Precision Medicine”, thekson potencialin transformues të këtyre vaksinave, të cilat përdorin neoantigjenet për të aktivizuar sistemin imunitar kundër tumoreve, duke ofruar trajtime të personalizuara.
Përparimet në onkologji, përfshirë frenuesit e pikave kontrolluese imune dhe terapitë CAR-T, rrisin rëndësinë e zhvillimit të këtyre vaksinave.
Përvoja e pandemisë COVID-19 ka treguar se është e mundur të zhvillohen vaksina shpejt dhe me efikasitet, duke krijuar një model për përshpejtimin e testimeve të vaksinave kundër kancerit, shkruna Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
Mbretëria e Bashkuar, me kontributet e saj të rëndësishme në vaksinimin global, ndodhet në një pozicion unik për të udhëhequr këtë fushë.
Lennard Lee, profesor asociuar në Universitetin e Oksfordit dhe autor kryesor i raportit, thekson rëndësinë e shfrytëzimit të infrastrukturës kombëtare dhe koordinimit të burimeve për të mbështetur testimet klinike në të gjithë vendin.
Raporti përfshin katër rekomandime kryesore: shfrytëzimi i suksesit të vaksinës COVID-19 për përshpejtimin e testimeve; krijimi i partneriteteve afatgjata mes industrisë, institucioneve shëndetësore dhe pacientëve; modernizimi i infrastrukturës klinike dhe integrimi i të dhënave gjenomike; dhe rritja e ndërgjegjësimit publik dhe angazhimi i studiuesve për të mbështetur pjesëmarrjen në testime.
Me investime dhe koordinim të kujdesshëm, Britania mund të bëhet pioniere në zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave kundër kancerit, duke hapur një kapitull të ri në luftën kundër kësaj sëmundjeje. /Gazeta Shneta/


