Ditën Botërore të Shëndetit shënohet çdo vit më 7 prill. Kjo ditë është një mundësi për të promovuar rëndësinë e shëndetit dhe për të sensibilizuar publikun për çështje të ndryshme shëndetësore. Tema për secilin vit ndryshon dhe shpesh fokusohet në problematika globale si sëmundjet infektive, shëndeti mendor, kujdesi shëndetësor i barabartë për të gjithë dhe shumë të tjera.
Në një intervistë për ‘Gazetën Shneta’, specialisti i shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Dr. Faik Hoti, foli për rëndësinë e kësaj dite dhe cilat janë sfidat kryesore të shëndetit.
Dr. Hoti theksoi gjithashtu që Kosova ndër vite është pjesë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë publike, duke adresuar kërcënimet e shëndetit publik, përmes bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, UNICEF-in, Qendrën Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve (ECDC), USAID-in, UNFPA-në, Fondin Global dhe organizata të tjera, me secilën për fusha të caktuara.
– Pse shënohet Dita Botërore e Shëndetit dhe cili është qëllimi i saj?
Dr. Hoti: Dita Botërore e Shëndetit shënohet çdo vit më 7 prill në respekt të ditës kur u themelua Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në vitin 1948. Qëllimi i shënimit të kësaj dite është për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet shëndetësore në nivel global dhe për të nxitur autoritetet shëndetësore në çdo vend që të ndërmarrin veprime me qëllm të parandalimit të sëmundjeve, promovimit të shëndetit dhe sigurimit të qasjes në shërbime shëndetësore për popullatën. Këto veprime nënkuptojnë ndërveprime midis qeverive, institucioneve shëndetësore, shoqërisë civile, individëve, komuniteti dhe partnerëve të ndryshëm.
Tema e Ditës Botërore të Shëndetit për vitin 2025 është: “Fillimi i shëndetshëm – e ardhmja plot shpresë”.
– Sa është e vlefshme kjo ditë për ndërgjegjësimin e njerëzve në lidhje me shëndetin?
Dr. Hoti: Kjo ditë ka një rëndësi të veçantë, sepse për çdo vit zgjedhet një temë specifike nga fushat me prioritet në shëndetin publik me qëlllim që të ngritet vëmendja për t’i adresuar ato probleme që konsiderohen shqetësuese, qoftë nga aspekti i përmirësimit të politave shëndetësore apo edhe në rrafshin e ndërhyrjeve urgjente për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e popullatës.
-Çka e rrezikon sot më shumë shëndetin e njeriut?
Dr. Hoti: Në nivel global ka shumë kërcënime dhe sfida, duke filluar nga luftërat dhe konfliktet e pakuptimta, varfëria ekstreme në shumë vende të botës, fatkeqësitë natyrore, migrimet e popullatave, bio-terrorizimi e deri te rreziqet dhe kërcënimet e natyrës shëndetësore, siç janë: numri në rritje i sëmundjeve infektive, sidomos atyre që shkaktohen nga patogjenë respiratorë dhe dëshmi për këtë është fruthi që sivjet ka shpërthyer apo është rikthyer në shumë vende të botës; raset e Influenzës AH5N1-Gripit të shpezëve…, pastaj, kërcënimet e tjera si rezistenca antimkrobike si pasojë e përdorimit të pakontrolluar të antibiotikëve, me çka njerëzimi po rrezikon të humbas një armë të fortë në luftimin e infeksioneve bakteriale, ndërkohë që po rritet rezistenca; sëmundjet masovike jo ngjitëse, para së gjithash sëmundjet malinje (kanceret), sëmundjet kardiovaksulare, diabeti, pabarazia apo dallimet në qasje dhe në cilësi të shërbimeve shëndetësore, vdekshmëria e lartë e foshnjave në shumë vende, e deri te ndryshimet klimatike dhe ndotja mjedisore.
– Cilat janë sfidat më të mëdha të shoqërisë dhe shkencës për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve?
Dr. Hoti: Me gjithë të arriturat e mëdha, sëmundjet/kërcënimet janë gjithmonë një apo më shumë hapa para shkencës dhe dëshmi për këtë gjatë historisë ka pasur mjaft, së fundi ishte COVID-19. Ka mjaft sfida që e bëjnë të vështirë parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve, por në vija të trasha disa prej tyre do të janë: Mungesa e kapaciteteve shkencore për t’i parashikuar dhe parandaluar rreziqet; sistemet e pakonsoliduara apo të dobëta shëndetësore në vende të ndryshme; mungesa e resurseve njerëzore dhe financiare; moszbatimi i politikave parandaluese duke u marrë më shumë me pasojat, pabarazitë shëndetësore, niveli jo adekuat i edukimit shëndetësor, etj.
– Çka mund të bëjnë njerëzit dhe shtetet për të pasur shëndet më të mirë?
Dr. Hoti: Të nxirren mësime serioze nga gabimet, ta kenë shëndetin prioritet, duke fuqizuar sistemet shëndetësore, investuar në parandalim dhe duke u përgatitur për emergjenca.
-Çfarë roli ka edukimi shëndetësor në shkolla për të krijuar një brez më të shëndetshëm dhe më të informuar rreth mënyres së jetesës?
Dr. Hoti: Edukimi i hershëm, respektvisht edukimi në shkolla është rruga e duhur, sepse që nga aty nis ndërtimi i kulturës shëndetësore dhe qasjes parandaluese për të evituar dukuritë negative përfshirë duhanpirjen, drogën e alkoolin, që fatkeqësisht janë shndërruar në epidemi në mesin e të rinjve. Familja dhe shkolla janë mjedisi ku nis edukimi për jetë të shëndetshme, edukimi kundër dukurive që e kërcënojnë shëndetin, edukimi për higjienën, për vaksinat, edukimi për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe, përgjithësisht, për shëndetin dhe mirëqenien.
– Si mund të realizohen bashkëpunim ndërkombëtare për të adresuar kërcënimet globale për shëndetin, siç janë sëmundjet infektive dhe ndryshimet klimatike?
Dr. Hoti: Kosova ka qenë ndër vite pjesë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë publike, duke adresuar kërcënimet e shëndetit publik, përmes bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, UNICEF-in, Qendrën Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve (ECDC), USAID-in, UNFPA-në, Fondin Global dhe organizata të tjera, me secilën për fusha të caktuara. Veçanërisht, bashkëpunimi ka dhënë rezultate në adresimin e sëmundjeve infektive që parandalohen përmes vaksinimit si paraliza e fëmijëve, fruthi, tuberkulozi, parotiti, influenza, Covid-19…, së fundi edhe në adresimin e çështjes së vaksinimit kundër Human Papilloma Virusit, që është përgjegjës për shkaktimin e kancerit të qafës së mitrës, kancereve dhe infeksioneve të tjera. Ngjashëm mund të bëhet edhe në adresimin e çështjeve të ndryshimeve klimatike dhe mjedisore, ku ka hapësirë dhe duhet për t’u bërë shumë më tepër./Gazeta Shneta/


