Dogana e Kosovës ka zbuluar një sasi të madhe barnash dhe produktesh farmaceutike të padeklaruara gjatë kontrolleve rutinë në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinjë, duke ngritur shqetësime për respektimin e rregullave doganore dhe sigurinë e barnave që hyjnë në territorin e vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një autobus të linjës ndërkombëtare dhe gjatë verifikimit të bagazheve është identifikuar një valixhe me një sasi të konsiderueshme produktesh farmaceutike pa deklarim dhe pa dokumentacion shoqërues, përcjell Gazeta Shneta.
Në total janë evidentuar 7,168 produkte farmaceutike, prej të cilave 7,100 ishin kapsula, ndërsa 68 produkte të tjera përfshinin forma të ndryshme si shurupe, sprej dhe xhel.
Autoritetet bëjnë të ditur se asnjë nga pasagjerët nuk e ka pranuar pronësinë mbi bagazhin e dyshuar, çka ka çuar në hapjen e procedurës kundërvajtëse ndaj kompanisë transportuese, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-247 – Kodi Doganor dhe i Akcizave. Sipas këtij ligji, transportuesi mban përgjegjësi për mallrat dhe bagazhet në rastet kur nuk identifikohet pronari i tyre.
Mallrat e padeklaruara janë ndaluar menjëherë nga Dogana e Kosovës dhe po trajtohen sipas procedurave ligjore përkatëse. Autoritetet theksojnë se çdo mall që hyn në territorin e vendit duhet të deklarohet në mënyrë të rregullt, ndërsa mosdeklarimi ose tentimi për shmangie të kontrollit doganor konsiderohet shkelje dhe ndëshkohet me masa administrative dhe kundërvajtëse.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar angazhimin e saj për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesave fiskale të shtetit, duke theksuar se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet për të parandaluar hyrjen e barnave të padeklaruara ose me origjinë të panjohur, të cilat mund të paraqesin rrezik potencial për shëndetin publik dhe sigurinë e qytetarëve. /Gazeta Shneta/


