Kafeina është një substancë kimike që gjendet natyrshëm në gjethe, fara dhe fruta të disa bimëve. Mes tjerash, vepron si stimulues i lehtë, duke përshpejtuar aktivitetin e trurit dhe duke aktivizuar sistemin nervor.
Kafeina gjendet në shumë ushqime dhe pije, disa natyrshëm dhe të tjera të pasuruara artificialisht. Burimet më të zakonshme përfshijnë kafenë, çajin, çokollatën, pijet me gaz si kola dhe pijet energjike. Përveç tyre, ajo mund të jetë e pranishme edhe në disa ilaçe për kollë, ftohje, dhimbje koke apo produkte për dobësim.
Për të mbrojtur konsumatorët, disa produkte me përmbajtje të lartë kafeine janë ndaluar në vende si Australia dhe Zelanda e Re. Rregulloret kërkojnë etiketim të qartë të produkteve që përmbajnë kafeinë, në mënyrë që grupet më të ndjeshme, si fëmijët dhe gratë shtatzëna apo në gjidhënie, të informohen më mirë.
Gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, rekomandohet që konsumimi i kafeinës të mos kalojë 200 mg në ditë. Kjo sasi mund të merret, për shembull, nga 1–2 filxhanë kafe espresso, 2–3 filxhanë kafeje të tretshme ose 3–5 filxhanë çaji.
Sasia e kafeinës ndryshon sipas produktit: një filxhan kafeje të zakonshme mund të përmbajë rreth 80 mg, ndërsa një espresso rreth 145 mg. Pijet energjike dhe ato me gaz përmbajnë zakonisht më pak, por shpesh kanë shumë sheqer.
Për një konsum të sigurt, është e rëndësishme të lexohen etiketat dhe të ruhet moderimi, sidomos për personat me kushte shëndetësore të veçanta.
Ky tekst është marrë nga burimi Pregnancy Birth Baby dhe është përkthyer dhe redaktuar nga Gazeta Shneta.


