Në një kohë kur Kosova po përballet me një rritje të shqetësimeve rreth shëndetit mendor dhe me raste të shumta të vetëvrasjeve, mjekja neurologe dhe psikiatre, Dr. Blerta Zeka, ka reaguar publikisht me një letër të hapur drejtuar Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani-Sadriut.
Zeka, përmes kësaj letre të publikuar në rrjetin social Facebook, shpreh shqetësimin e thellë për mënyrën se si po raportohen rastet e vetëvrasjeve në media dhe në rrjetet sociale, duke kërkuar ndërhyrje institucionale për vendosjen e standardeve etike të raportimit, transmeton Gazeta Shneta.
Mes tjerash, Zeka thekson se publikimi i emrave, fotografive dhe detajeve personale të viktimave përbën shkelje të rëndë të privatësisë dhe dinjitetit të tyre, duke e cilësuar këtë praktikë jo vetëm joprofesionale, por edhe të dëmshme për shëndetin publik.
Ajo sqaron se çdo fjalë, imazh apo titull në media mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë tek njerëzit që përballen me vuajtje të brendshme dhe se mënyra e papërgjegjshme e raportimit mund të nxisë raste të tjera të ngjashme – fenomen i njohur në literaturën shkencore si “Efekti Werther”.
Postimi i plotë i Dr. Blerta Zekës:
Letër e hapur drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu
Vjosa Osmani
Nga Dr. Blerta Zeka – Mjeke Neurologe dhe Psikiatre
Qytetare e shqetësuar e Republikës së Kosovës
E nderuara Presidente Osmani,
Me këtë letër dua të shpreh shqetësimin tim të thellë, si mjeke neurologe dhe psikiatre, por edhe si qytetare e këtij vendi, për mënyrën se si po raportohen në mediat dhe rrjetet sociale rastet e dyshuara të vetëvrasjeve në Kosovë.
Në javët e fundit, jemi tronditur nga disa humbje të rënda të jetëve të reja. Në vend që këto raste të trajtohen me ndjeshmëri e kujdes, ato shpesh publikohen me emra, fotografi dhe detaje personale, duke cenuar rëndë privatësinë dhe dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre. Kjo praktikë nuk është vetëm joprofesionale — ajo është e dëmshme dhe e rrezikshme për shëndetin publik.
Si mjeke që punoj çdo ditë me individë që përballen me vuajtje të brendshme, e di sa delikate është tema e vetëvrasjes. Çdo fjalë, çdo imazh, çdo titull në media ka peshë.
Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe studimeve të shumta ndërkombëtare, raportimi i papërgjegjshëm i vetëvrasjeve mund të nxisë raste të tjera – fenomen i njohur si Efekti Werther. Për këtë arsye, shumë vende kanë vendosur rregulla të qarta për raportim etik, duke ndaluar publikimin e identitetit dhe detajeve të ndjeshme, dhe duke orientuar vëmendjen drejt parandalimit dhe ndihmës.
Në Kosovë, fatkeqësisht, këto standarde nuk po zbatohen. Rrjetet sociale dhe disa media po e kthejnë dhimbjen njerëzore në sensacion, duke harruar se prapa çdo fotografie është një jetë, një familje, një histori që meriton respekt.
Prandaj, me shumë respekt dhe ndjenjë përgjegjësie profesionale e njerëzore, ju bëj thirrje që si Presidente e Republikës:
1. Të nxisni institucionet përkatëse – Komisionin e Pavarur për Media, Këshillin e Mediave të Shkruara dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – që të miratojnë dhe zbatojnë udhëzime të detyrueshme për raportimin etik të rasteve të vetëvrasjeve, sipas standardeve ndërkombëtare.
2. Të mbështesni fushata kombëtare për ndërgjegjësim dhe edukim publik, që forcojnë shëndetin mendor dhe parandalojnë vetëvrasjet, në bashkëpunim me profesionistët e fushës.
3. Të apeloni publikisht për respektimin e privatësisë dhe dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre, si shenjë e një shoqërie që kujdeset për jetën dhe ndjeshmërinë njerëzore.
Znj. Presidente, ne që punojmë në shëndetin mendor e dimë: parandalimi fillon me fjalën e duhur, me kujdesin dhe me heshtjen kur duhet të heshtim.
Në një kohë kur shumë të rinj ndihen të humbur, mënyra se si shoqëria jonë flet për dhimbjen mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.
Kosova ka nevojë për një politikë kombëtare të komunikimit të përgjegjshëm, ku mediat të jenë aleate të jetës, jo burim i plagëve të reja.
Me shpresë dhe përkushtim,
Dr. Blerta Zeka
Mjeke Neurologe dhe Psikiatre
Qytetare e Republikës së Kosovës