Në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, pacientë negativ dhe pacientë pozitiv me Covid-19 vendosen në dhoma të njëjta.
Kjo gjendje ka shkaktuar shqetësimin e familjarëve të pacientëve që kanë rezultuar negativ, për shëndetin e pacientëve të cilët mund të infektohen edhe nëse nuk janë të sëmurë me koronavirus.
Por drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë Dr. Rukije Mehmeti, e ka arsyetuar këtë gjendje me një deklaratë skandaloze. Ajo ka deklaruar se ju thonë pacientëve të zgjedhin, ose të qëndrojnë në një dhomë me pacientët Covid, ose të shkojnë në shtëpi ku shanset për të vdekur i kanë më të mëdha.
“Të gjitha rastet të cilat pranohen këtu janë hipotetikisht pozitive. Kemi edhe ankesa nga familjarët që ankohen se rastet pozitive me Covid janë të vendosura me rastet negative. Mirëpo ata duhet të mendojnë dhe të zgjedhin nëse dëshirojnë të qëndrojnë me një dhomë me pacientë pozitivë apo t’i dërgojmë në shtëpi, ku mundësia me vdekë është më e madhe, e këtu i jepet një shans që të jetojnë. Kur pacienti pranohet tek ne dhe ka ndërrime radiologjike identike si ai që është pozitiv, si ai negativ, atëherë për ne edhe ai që ka rezultuar negativ do të trajtohet sikurse ai pozitiv”, ka thënë për KTV-në Rukije Mehmeti, drejtoreshë në Klinikën e Pulmologjisë.