Drejtori i Spitalit Rajonal në Gjakovë, Jeton Zarari, është duke përdorur një strategji tjetër për të monitoruar punëtorët shëndetësor në këtë spital
Vetura zyrtare e drejtorit të Spitalit të Gjakovës po shihet shpesh e parkuar në rrugë. Gazeta Shnet disa herë ka pranuar fotografi të kësaj veture të parkuar në vende të ndryshme, me pretendimin se drejtori po e shfrytëzon veturën jashtë orarit zyrtar dhe për nevoja personale.
Por këtë e ka mohuar Jeton Zarari, i cili menaxhon me Spitalin e Gjakovës. Ai tregon një arsye pse vetura e tij është parë e parkuar në një vend jo të zakonshëm për një veturë zyrtare.
Zarari thotë se vetura ka qenë e parkuar pranë një lokali të quajtur “Garazhat”, ku sipas tij drekojnë shumica e stafit të spitalit dhe ai shkon aty për t’i kontrolluar se kush po e respekton më pak orarin e pauzës. Pauza e stafit zgjatë një orë.
Automejetet zyrtare mund të përdoren vetëm gjatë orarit të punës në rast se drejtuesi i automjetit është duke e shfrytëzuar automjetin për të kryer punë.
“Zakonisht dal në një lokal të quajtur ‘Garazhat’ afër këtij parkingu. Njëherit edhe i kontrolloj punëtorët e Spitalit, të cilët qëndrojnë më gjatë për mëngjes”, e konfirmon drejtori për Gazetën Shneta.
I pyetur pse nuk e shfrytëzon veturën e tij personale për të shkuar në atë lokal, ai thotë se është në orar të punës dhe se në atë rrugë kryen edhe punë të tjera.
“Është orari i punës, edhe ashtu kryej punë tjera në atë rrugë”, sqaron ai.
Gazeta ka siguruar edhe fotografi të veturës zyrtare në rrugën “Azem Hajdar” në Komunën e Gjakovës, rrugë e cila gjendet afër lokalit të frekuentuar nga personeli dhe drejtori.
Gazeta javë më parë ka raportuar për keqshfrytëzim të autoambulancës së Spitalit Rajonal në Mitrovicë nga njëri shoferi i autoambulancës. /Gazeta Shneta/
Shoferi e shfrytëzon autoambulancën e Spitalit të Mitrovicës për nevoja familjare – VIDEO