Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Prof. Dr. Naser Ramadani, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin jashtë, ndërkaq atyre që presin në radhë të mbajnë distancë.
Ramadani këtë thirrje e ka bërë pas shumë raportimeve nëpër qytete të ndryshme të Kosovës ku shihet njerëz të grumbulluar duke mos mbajtur distancë në mes veti.
“Qytetarët duhet të mbajnë distancë para bankave dhe postës ku presin në radhë”, ka deklaruar Ramadani për Gazetën Shneta.
Ndërkaq në një lidhje direkte në RTV Dukagjini, Ramadani ka thënë se shumë familjarë po hezitojnë të tregojnë se kanë ndonjë anëtar të infektuar, ndërsa bëri thirrje te të gjithë ata që kanë simptoma që të mos e fshehin asnjë rast
“Ju kisha lut të mos i fshehin. IKSHPK ka identifikuar që të gjitha janë raste të kontaktit dhe të gjitha janë në familje. Fati është që të gjithë po bëjmë çmos që ata të mbeten të izoluar. Ne nuk mund t’i lidhim. Nëse nuk marrin vesh me fjalë kanë me e përhapë këtë virus gjithandej. Nëse marrin vesh me fjalë dhe kanë qytetari të mbrojnë jetën e vet dhe të të tjerëve, ne do t’i shpëtojmë të gjithë”, tha Ramadani.
“Situatat është nën kontroll, ne kemi bërë gjurmim. Ky është sukses, ca raste kanë lëvizur, ne po e bëjmë shkëputjen e kontaktit. Për aq sa mundemi ne po i shkëpusim. Virusi është më i shpejt se na, ai i ka këmbët e qytetarit”, tha Ramadani.