Gjatë ditës së djeshme në media u publikua një video ku pretendohej se kardiologët nuk e kanë respektuar orarin e punës në ambulancën specialistike të Kardiologjisë. Drejtori i kësaj Klinike Dr. Imri Jashari ka mohuar këtë. Ai ka thënë se mjeku që ka qenë duke punuar në ambulancë, është ftuar urgjent nga Klinika e Gjinekologjisë
Një video e publikuar dje në media ku shiheshin disa pacientë duke pritur pranë ambulancës specialistike të Kardiologjisë ka alarmuar menaxhmentin e QKUK-së të cilët kërkuan masa ndaj kardiologut që kishte qenë në orarin e punës. Ndaj tij u shqiptua një vërejtje, por drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Dr. Imri Jashari thotë se mjeku ishte ftuar për një rast urgjent në Klinikën e Gjinekologjisë prandaj i ishte dashur ta linte ambulancën për rreth 20 minuta, shkruan Gazeta Shneta.
“Për shkak të pushimeve vjetore, ambulanca mbulohet me mjekë mirëpo mund të ketë mungesa dhe paraqitet nevoja qe në ambulancë të punojnë mjekë tjerë që nuk kanë qenë në listë. Rast i njëjtë ka ndodhur dje kur kardiologu kujdestar është dashur ta mbuloj kolegun në ambulancë dhe të merret me konsulta në klinika tjera”.
“Siç jam i informuar deri në ora 10:55 ka qenë mjeku i ndërrimit të parë i cili e ka mbuluar mjekun kujdestar, ndërsa pas kësaj kohe ka ardhur mjeku kujdestar i cili ka kryer shërbimet për pacientët që kanë qenë duke pritur ndërsa më vonë është thirrë nga Klinika e Gjinekologjisë për një rast urgjent. Kthimi i tij nga konsulta ka zgjatur rreth 20 minuta dhe brenda kësaj kohe është bërë ajo video ku shihen duke pritur rreth 10 persona”, ka deklaruar Jashari.
“Rasti i djeshëm, them me keqardhje që mjeku është ndëshkuar sipas rregullave dhe normave. Ne nuk e kemi për qëllim që pacientët të presin, mirëpo rastet e tilla ndodhin sepse mjeku jep prioritete ku duhet të intervenojë së pari e pastaj vijnë pacientët tjerë. Në ambulanca janë shërbime elektive ku mund të pritet”, ka shtuar kardiologu.
“Raportimi se pacientit i është përkeqësuar gjendja nuk qëndron. Poashtu nuk është e vërtetë se pacientët kanë pritur mbi 1 orë e gjysmë dhe kjo lë për të kuptuar se është tendencioze dhe me qëllime për të njollosur dikend. Unë dyshoj se pacientët e kanë bërë atë video sepse shumë pak pacientë kanë qenë duke pritur”, ka thënë ai.
Jashari tregon se shpesh përballen me mungesë të mjekëve, sidomos në rastet kur kardiologët e akuzuar në rastin “Stenta” kanë seanca gjyqësore dhe mjekët që mbesin në klinikë duhet t’i mbulojnë të gjitha shërbimet.
“Javën që shkoi kanë qenë tri senaca gjyqësore të kardiologëve dhe të gjitha shërbimet ambulantorike dhe të klinikës, janë trajtuar dhe mbuluar nga katër kardiologë”, ka thënë Jashari.
Ai tregon se ambulanca e Kardiologjisë mbulohet çdo ditë nga katër kardiologë nga ora 08:00-10:30 dhe nga ora 11:00 deri 13:30. Në ambulancën e Kardiologjisë numri i pacientëve ditor, me ergometri dhe ekokardiografive shkon deri në 130.
“Është një numër i madh mirëpo ne duam t’ju shërbejmë pacientëve me mundësitë e tona. Shpresoj në konsideratën e pacientëve dhe mediave ndaj punës së mjekëve, sepse lajme të tilla nuk i kontribojnë askujt”, është shprehur Jashari. /Gazeta Shneta/