Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka nisur procedura disiplinore ndaj disa punonjësve të Shërbimit të Hemodializës, pasi janë identifikuar parregullsi në evidentimin e hyrje-daljeve në punë.
Sipas njoftimit të spitalit, një komision i posaçëm, përmes monitorimit të kamerave të sigurisë dhe kontrolleve të brendshme, ka konstatuar se punonjës të repartit, përfshirë edhe kryeinfermierin, kanë përdorur kartelat elektronike të njëri-tjetrit për regjistrimin e prezencës në punë.
Pas verifikimit të rastit, menaxhmenti i spitalit ka iniciuar procedura disiplinore ndaj personave të përfshirë, ndërsa kryeinfermieri është liruar nga detyra.
Në reagimin e spitalit thuhet se, pas ndërmarrjes së masave, persona të përfshirë në rast kanë tentuar të pengojnë procesin e punës në Shërbimin e Dializës.
Spitali ka deklaruar se shërbimet për pacientët nuk janë ndërprerë dhe se procesi i dializës ka vazhduar normalisht./Gazeta Shneta/



