Klinika e Dermatovenerologjisë në QKUK është lënë në harresë duke e sjellë në gjendje të mjerueshme. Sëmundjet që trajtohen në këtë klinikë nuk furnizohen nga Lista Esenciale, ndërsa ka mungesë të aparaturës e cila diagnostikon kancerin në lëkurë
Barnat që shërojnë sëmundjet e lëkurës nuk janë të përfshira në Listën Esenciale. Ka mungesë të pajisjeve që mundësojnë diagnostikimin e hershëm të kancerit në lëkurë, dhe po ashtu mungesë të stafit. Kjo është gjendja e mjerueshme në Klinikën e Dermatovenerologjisë në QKUK e cila është lënë pothuajse në harresë.
Drejtoresha e klinikës, Dr. Fatime Kokollari, thotë se numri i të sëmurëve me kancer të lëkurës është në rritje e sipër. Ajo alarmon gjendjen e rëndë të klinikës në mungesë të aparatit të dermatoskopisë, i cili do të mundësonte diagnostikimin e hershëm.
“Për momentin kemi një dermatoskop të thjeshtë, por një i ri i avancuar me monitor do të mundësonte diferencimin e tumoreve malinje prej atyre beninje ose karcinomat prej beninjeve. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme për diagnostikimin e hershëm për një sëmundje që është vdekjeprurëse”, ka deklaruar Kokollari.
Melanoma malignum e cila është një lloj kanceri i lëkurës që ka prognozë dhe ecuri shumë të shpejt dhe përfundim të shpejtë, është një nga kanceret që merr jetë për një interval shumë të shkurt kohor në krahasim me të gjitha llojet tjera, thotë mjekja.
“Numri i të prekurve nga këto sëmundje të kancerit është në rritje e sipër. Drejtoria e SHSKUK-së ka pranuar kërkesat tona dhe na është thënë se është duke u hartuar një listë për furnizim me aparatura me nevoja emergjente”.
“Kërkesën e kemi bërë, por nuk e dimë nëse do të jemi në listën me prioritet apo në atë të mëvonshme”, ka thënë ajo.
Në këtë klinikë trajtohen rreth 70 deri 100 pacientë në ditë në Ambulancën Specialistike. Klinika ka gjithsej 36 shtretër, ku shpesh herë ndodhë që numri i pacientëve të jetë më i madh dhe stafi detyrohet të bëj improvizime.
Në klinikë trajtohen më së shumti pacientë që kërkojnë ndihmë nga sëmundje infektive të lëkurës.
“Më së shumti vijnë pacientë që janë të prekur nga sëmundje infektive, që kryesisht kanë standard të ultë të jetesës me kushte higjienike jo të mira”, thotë Dr. Kokollari.
Barnat për trajtimin e sëmundjeve të lëkurës nuk janë të përfshira fare në Listën Esenciale. Ndërkaq klinika tani nuk i kryen edhe dy shërbime të tjera në mungesë të azotit të lëngshëm.
“Ne i kemi bërë kërkesat të kohëpaskohshme. Shpresojmë se do të përfshihen në revidimin e Listës Esenciale, por nuk kemi pas ndonjë kërkesë nga askush për listën e nevojshme të barnave për sëmundjet dermatologjike”, ka deklaruar Kokollari.
Doktoresha shton se shumë herë pacientët nuk janë në gjendje t’i sigurojnë barnat ose bëjnë seleksionime, disa i blejnë e disa jo dhe kështu mbesin pa marr trajtimin e duhur.
Sëmundjet veneriane seksualisht të transmetueshme për momentin nuk trajtohen që disa muaj sepse ka mungesë të azotit të lëngshëm. Kokollari thotë se për këtë medikament ka pasur kërkesa për furnizim, mirëpo SHSKUK është arsyetuar se për azot nuk është licencuar asnjë kompani nga AKPM.
Poashtu mungojnë teste alergjike të cilat do të shërbenin si diagnozë diferenciale për dy lloje të sëmundjeve.
Krejt në fund Dr. Kokollari kërkon të shtohet edhe numri i stafit pasi sipas saj, një motër medicinale merret me disa shërbime në të njëjtën kohë. /Gazeta Shneta/