Vitamina C është një nga vitaminat më të njohura dhe më të përdorura. Ajo shpesh lidhet me forcimin e imunitetit dhe mbrojtjen nga ftohjet, por ekspertët theksojnë se rreth saj ekzistojnë edhe shumë keqkuptime.
Sipas një studimi të fundit, edhe pse vitamina C është thelbësore për organizmin, roli i saj shpesh ekzagjerohet.
Vitamina C, e njohur si acidi askorbik, është një antioksidant i fuqishëm që ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet. Ajo kontribuon në forcimin e sistemit imunitar, ndihmon përthithjen e hekurit dhe luan rol të rëndësishëm në shërimin e plagëve.
Po ashtu, vitamina C është e domosdoshme për sintezën e kolagjenit, një proteinë që ndihmon në ruajtjen e shëndetit të lëkurës, mishrave të dhëmbëve dhe indeve lidhëse.
Mungesa e theksuar e vitaminës C mund të çojë në sëmundjen e njohur si skorbut. Kjo gjendje shoqërohet me gjakderdhje të mishrave të dhëmbëve, rënie të dhëmbëve dhe dhimbje në nyje.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se skorbuti është shumë i rrallë te personat që ushqehen normalisht.
Organizmi nuk mund ta prodhojë vetë vitaminën C, prandaj ajo merret përmes ushqimit. Burimet kryesore janë frutat dhe perimet, si agrumet, specat, brokoli dhe domatet.
Sipas ekspertëve, nëse dieta është e balancuar, suplementet zakonisht nuk janë të nevojshme. Edhe pse vitamina C në suplemente është kimikisht e njëjtë me atë në ushqim, ato nuk përmbajnë përbërës të tjerë të dobishëm si fibra dhe antioksidantë të tjerë që gjenden natyrshëm në ushqime.
Vitamina C mund të ndihmojë në përshpejtimin e rikuperimit nga ftohja nëse merret rregullisht, por nuk e parandalon atë. Marrja e saj vetëm në fillim të simptomave nuk ka efekt të dukshëm.
Sa i përket sëmundjeve më serioze, studimet tregojnë se vitamina C nuk e ul ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës apo kancer.
Doza e rekomanduar ditore për të rriturit është rreth 45 mg, ndërsa kufiri maksimal është 2,000 mg në ditë.
Dozat e larta mund të shkaktojnë efekte anësore si të përziera, diarre dhe ngërçe në bark. Gjithashtu, konsumimi i tepërt mund të rrisë rrezikun për gurë në veshka, veçanërisht te personat me probleme renale.


