Një kandidate për fizioterapi është ankuar se u listua ndër të parat pas testit me shkrim, ndërsa pas intervistës ra në fund dhe nuk u pranua. Për Gazeta Shneta ka folur edhe një tjetër kandidat i cili në kushte anonimiteti thotë se për një koleg të tij i cili u pranua, intervenuan edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës
Shumë parregullsi janë raportuar për konkursin e fundit të SHSKUK-së për staf të mesëm. Për rezultatet e këtij konkursi janë adresuar dhjetëra ankesa, ndërkaq në media u raportua se janë dhënë edhe mijëra euro ryshfet për t’u pranuar.
Një kandidate në konkursin për Fizioterapeut Bachellor, Arta Ibrahimi, thotë se pas testit me shkrim është listuar në vendin e katërt me 69 pikë nga 150 kandidatë, ndërsa pas intervistës me gojë ajo nuk u pranua fare dhe ra në vendin e 52-të, shkruan Gazeta Shneta.
“Jam listu thuajse në fund, ndërkaq janë pranu ata të cilët në testim kanë arritur të sigurojnë shumë shumë pak mikë. Përveç kësaj, ka qene e njohur qe ne konkurs kane aplikuar pjesëmarrës te ndryshëm te cilët nder te tjera kryesisht ishin dhe djem e vajza te profesorëve ose doktorëve ose te tjerë te cilët veçse punojnë ne departamente te ndryshme te QKUK-se apo institucione te ngjashme”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ajo ka dorëzuar edhe një ankesë ndërsa thotë se nuk do të ndalet derisa t’i vlerësohet dija e saj, e jo mbiemri.
Një tjetër kandidat i cili nuk dëshiron të flas me emër për shkak se frikësohet se do t’i hakmerren në konkurse tjera, thotë se për një koleg të tij intervenuan tre deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“Ne të gjithë njihemi sepse jemi koleg nga fakulteti dhe gjatë procesit kemi biseduar se kush mund të pranohet e kush jo. Njëri nga ta të cilin e kam shok më ka thënë hapur se ka angazhuar tre deputetë për t’u pranuar. Dhe këtë e ka arritur. Ai është njëri nga të pranuarit për fizioterapi”, thotë ky kandidat.
Sipas tij ka edhe të tjerë që kanë qenë të gatshëm të paguajnë mijëra euro ryshfet dhe që kanë pasur intervenime nga brenda QKUK-së.
Në konkursin për fizioterapeutë u pranuan më shumë kandidat sesa numri i vendeve të lira të publikuar në konkurs.
Në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit të kaluar, për fizioterapeut bachellor kanë qenë tri vende të lira ndërsa janë pranuar 5 kandidat. Ndërkaq për fizioterapeut me shkollë të mesme ishte shpallur një vend i lirë, ndërsa janë pranuar 2 kandidat.
Gazeta Shneta ka kontaktuar me Sabrije Ramabaja, kryesuese e Komisionit Përzgjedhës, por e njëjta nuk ka pranuar të flas për të dhënë sqarime lidhur me këto parregullsi. Anëtarë të Komisionit kanë qenë edhe Senaj Maksut e Bajram Shyti.
E Zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së thotë se procesin e rekrutimit e ka monitoruar edhe Sindikata e cila nuk ka raportuar ndonjë ankesë gjatë testimit me shkrim dhe as intervistave me gojë.
“Kandidatët e pakënaqur sipas Vendimit të komisionit përzgjedhës kanë të drejtë ankese në komisionin e ankesave në afat prej 8 ditësh pas publikimit të rezultateve”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Gazeta ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, së cilës i është kërkuar hetim nga SHSKUK për konkursin e mamive në Klinikën e Gjinekologjisë.
Zyra për Media e PK-së nuk ka konfirmuar nëse kanë nisur hetimet duke thënë se aktualisht nuk mund të flasin për këtë çështje. /Gazeta Shneta/