Tetori është Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit — një rikujtim për rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe edukimit në luftën kundër formës më të zakonshme të kancerit tek gratë.
Një në 20 gra do të diagnostikohet me kancer gjiri gjatë jetës. Vetëm në vitin 2022, rreth 2.3 milionë gra në mbarë botën morën këtë diagnozë, ndërsa afro 670,000 humbën jetën, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i vitit 2025 nga Instituti Karolinska në Suedi tregoi se gratë që humbin kontrollin e parë kanë 40% më shumë gjasa të vdesin nga sëmundja.
Analiza e më shumë se 430,000 grave zbuloi se ato që nuk morën pjesë në ekzaminimin fillestar shpesh diagnostikoheshin në faza të avancuara dhe shmangnin edhe kontrollet e ardhshme.
Sipas Dr. Denise Johnson nga Universiteti i Teksasit, “zbulimi i hershëm është çelësi i trajtimit”. Kur kanceri diagnostikohet në fazat e para, normat e mbijetesës arrijnë deri në 90% brenda pesë vjetëve.
Mamografia mbetet mjeti më i besueshëm për zbulimin e hershëm.
Bashkimi Europian rekomandon që gratë me rrezik mesatar të kryejnë kontrolle vjetore nga mosha 45-vjeçe. Gratë me histori familjare ose mutacione gjenetike duhet të kontrollohen më herët.
Shenjat e para mund të përfshijnë një gungë të re në gji ose sqetull, ndryshime në formë, fryrje apo skuqje në zonën e thithës. Edhe burrat, ndonëse më rrallë, mund të preken.
Ekspertët paralajmërojnë se deri në vitin 2050, rastet e reja pritet të rriten me 38%, ndërsa vdekjet me 68%, duke arritur deri në 1.1 milionë humbje jete çdo vit — një sfidë globale në rritje, veçanërisht për vendet në zhvillim. /Gazeta Shneta/


