Një studim i ri sugjeron se konsumimi i lartë i gjashtë ëmbëlsuesve artificialë të zakonshëm – aspartam, sakarinë, acesulfami K, eritritol, sorbitol dhe ksilitol – lidhet me rritje 62% më të shpejtë të rënies njohëse, që përkthehet në rreth 1.6 vite plakje më të shpejtë të trurit.
Efekti ishte më i fortë tek të rriturit nën 60-vjeç dhe personat me diabet, por u vu re edhe tek ata pa këtë sëmundje, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Hulumtimi, i cili përfshiu 12,772 të rritur në Brazil për një periudhë prej tetë vitesh, sugjeron se ëmbëlsuesit artificialë – nuk janë alternativa aq të padëmshme ndaj sheqerit sa mendohej.
Sipas Dr. Thomas M. Holland nga “RUSH Institute for Healthy Aging”, ëmbëlsuesit artificialë duhet parë si përbërës të ushqimeve shumë të përpunuara, të cilat vetë janë lidhur me rrezik më të lartë për dobësim të kujtesës dhe funksioneve njohëse.
Edhe nëse dikush ndjek dieta të shëndetshme si Mesdhetare ose MIND, konsumimi i lartë i produkteve të përpunuara mund të ndikojë negativisht në tru.
Ekspertët theksojnë se ëmbëlsuesit artificialë mund të ndryshojnë mikrobiomën e zorrëve, duke nxitur intolerancë ndaj glukozës dhe inflamacion sistemik, faktorë që ndikojnë në funksionimin e trurit.
Megjithatë, sheqeri nuk është zgjidhje më e mirë. Konsumimi i tepërt i sheqernave të shtuar, si fruktoza dhe saharoza, lidhet gjithashtu me rritje të rrezikut për demencë, sëmundje zemre dhe diabet tip 2.
Ekspertët rekomandojnë moderim: kufizoni si sheqerin, ashtu edhe ëmbëlsuesit artificialë, dhe zgjidhni ushqime të plota e natyrale për një tru më të shëndetshëm. /Gazeta Shneta/


