Edhe pse shkencëtarët ende nuk e dinë saktësisht çfarë shkakton sëmundjen e Alzheimerit, hulumtimet e mëparshme tregojnë se gjenetika, mosha dhe grumbullimi i disa proteinave në tru – veçanërisht beta-amiloidi dhe tau – luajnë rol kyç në zhvillimin e saj.
Një studim i ri, i botuar në “Signal Transduction and Targeted Therapy”, tregon se një ekip shkencëtarësh ka arritur të përdorë një strategji të re nanoteknologjike për të përmbysur efektet e Alzheimerit tek minjtë e prekur nga kjo sëmundje, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Pas tri dozave të ilaçit të ri, të ashtuquajtur “bari supramolekular”, niveli i beta-amiloidit në trurin e minjve u ul me 50–60% brenda vetëm një ore.
Profesori Giuseppe Battaglia, udhëheqës i grupit të studimit në Institutin e Bioinxhinierisë së Katalonisë, shpjegon se nanopartikulat veprojnë si “transportues të programueshëm” që kalojnë barrierën gjak-tru pa e dëmtuar atë. Këto grimca ndihmojnë trupin të largojë mbetjet toksike natyrshëm, duke stimuluar sistemet që pastrojnë trurin nga proteinat e dëmshme.
Fokusi në enët e gjakut të trurit, sipas Battaglias, është thelbësor, pasi ato kontrollojnë hyrjen dhe daljen e substancave në tru. Duke rikthyer funksionin normal të këtij sistemi, të gjitha qelizat nervore përfitojnë dhe funksionojnë më mirë. /Gazeta Shneta/


