Gjetjet sugjerojnë se mjekët e fertilitetit duhet të marrin më shumë në konsideratë faktorët individualë të pacientëve për të rritur gjasat e suksesit me IVF.
Gratë me një shans të ulët për të pasur një fëmijë përmes fertilizimit in vitro (IVF) mund të përfitojnë më shumë nga përdorimi i embrioneve të freskëta në vend të atyre të ngrira, sipas një studimi të ri në Kinë, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Një në gjashtë persona në mbarë botën përballet me infertilitet, dhe IVF është trajtimi më i zakonshëm për të ndihmuar njerëzit të konceptojnë. Ky proces përfshin nxjerrjen e vezëve të gruas, fekondimin e tyre me spermë në një laborator dhe më pas transferimin e embrioneve të formuara në mitër.
Mjekët shpesh zgjedhin një “strategji të ngrirjes totale”, ku ata nxjerrin disa vezë njëherësh dhe ngrijnë embrionet për t’u transferuar javë, muaj apo edhe vite më vonë.
Megjithatë, studimi i ri sugjeron se kjo qasje mund të mos jetë më e mira për gratë me shanse më të ulëta suksesi në IVF, bazuar në faktorë si mosha, gjendjet shëndetësore, numri i ulët i vezëve dhe cilësia e tyre.
Shkallë më e lartë lindshmërie për transferimet e embrioneve të freskëta
Studimi, i botuar në revistën “BMJ”, përfshiu 838 gra në të 30-at e tyre, të cilat kishin vetëm disa vezë të shëndetshme.
Sipas studimit, gratë që kishin marrë një transferim me embrione të freskëta – të implantuara në të njëjtën ditë kur u hoqën vezët – kishin më shumë mundësi për të lindur një fëmijë krahasuar me ato që kishin përdorur embrione të ngrira.
40.1% e grave që morën një transferim të embrionit të freskët lindën një fëmijë, krahasuar me 31.5% të atyre që përdorën një embrion të ngrirë.
Mes tjerash, gratë që morën një embrion të freskët kishin gjithashtu më shumë mundësi për të mbetur shtatzënë dhe më pak rrezik për abort.
Nuk u gjetën ndryshime në peshën e lindjes së foshnjave, problemet neonatale ose ndërlikimet obstetrike midis dy grupeve. /Gazeta Shneta/


