Shoqata e Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës ka dal me një reagim kundër kirurgut nga Turqia Ugur Gozalan i cili ka promovuar shërbimet endokrinologjike.
Nga kjo shoqatë kanë deklaruar se sëmundjet e tiroidesë janë kompetencë e endokrinologëve dhe i kanë kërkuar Odës së Mjekëve të Kosovës që të reagojnë në bazë të kompetencave të tyre, shkruan Gazeta Shneta.
Reagimi i plotë:
REAGIM NGA SHOQATA E ENDOKRINOLOGËVE DHE DIABETOLOGËVE TË KOSOVËS (SHEDK)
Prof. Asoc. Dr. Elton Bahtiri – kryetar i Shoqatës
Shoqata e Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës (SHEDK) shpreh shqetësimin e saj lidhur me një promovim të fundit nga një institucion shëndetësor privat, ku një kirurg i përgjithshëm paraqitet duke ofruar shërbime të mirëfillta endokrinologjike, përfshirë diagnostikimin, interpretimin e analizave hormonale dhe përcaktimin e trajtimit për çrregullimet e tiroides.
Duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinar në mjekësi, Shoqata thekson se menaxhimi i sëmundjeve të tiroides kërkon vlerësim të specializuar nga mjekë endokrinologë, veçanërisht në aspektin e interpretimit të analizave hormonale dhe përcaktimit të trajtimit.
Për të shmangur çdo paqartësi për pacientët dhe për të garantuar cilësi dhe siguri në kujdesin shëndetësor, është e rëndësishme që shërbimet të ofrohen dhe promovohen në përputhje me kompetencat profesionale përkatëse.
I bëjmë thirrje institucioneve kompetente (Oda e Mjekëve të Kosovës) që të shqyrtojnë këtë rast në kuadër të përgjegjësive të tyre dhe të sigurojnë respektimin e standardeve profesionale dhe ligjore.
Shoqata mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe garantimin e kujdesit cilësor.— ëith Shoqata e Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës.



