Enver Gashi është sqaruar për mbajtjen e dy pozitave në SHSKUK si drejtor Financiar dhe ekspert financiar/anëtar i shtatë i Bordit Drejtues, para deputetëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave.
Deputetët e kanë ngritur çështjen e Gashit pas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku është evidentuar si shkelje e ligjit vazhdimi i kontratës së Gashit nga Bordi Drejtues për shkak se nuk janë respektuar kërkesat ligjore për t’ju nënshtruar konkursit, shkruan Gazeta Shneta.
Çështjen e Gashit e ka ngritur më së shumti deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani. Ai ka thënë se vazhdimi i kontratës së Gashit është shkelje e ligjit nga Bordi Drejtues i SHSKUK-së.
“Drejtori dhe Bordi e kanë shkelur ligjin në bazë të të gjeturës A6, në vazhdimin e kontratës të anëtarit të shtatë të Bordit dhe drejtorit Financiar”, ka deklaruar Rrahmani.
Drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi ka thënë se nuk ka asnjë përgjegjësi në vazhdimin e kontratës së Gashit sepse kjo është kompetencë e Bordit Drejtues.
Ndërkaq vet Gashi ka deklaruar se kontrata e tij e parë në vitin 2018 ka qenë me mundësi vazhdimi dhe kjo ka ndodhur në bazë të vlerësimit të performancës së tij.
“Kontrata është në bazë të konkursit në vitin 2018. Ka qenë me mundësi vazhdimi dhe më është vazhduar në bazë të performancës. Unë nuk jam zyrtar kryesor financiar. Nuk merrem me ekzekutim të pagesave”, ka deklaruar Gashi. /Gazeta Shneta/