Pavarësisht se ka më shumë start-up për onkologji, Evropa po mbetet pas në zhvillimin e teknologjive për kancer, duke humbur avantazhin konkurrues në disa fusha kërkimore premtuese ndaj SHBA-së dhe Kinës, sipas një raporti të ri.
Një studim i ri, i publikuar sot nga Zyra Evropiane e Patentave (EPO), tregon se si Evropa po mbetet pas SHBA-së dhe Kinës në tre fushat më të shpejta të rritjes në kërkimet rreth kancerit, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Ndërkohë që aktiviteti i patentimit për trajtimet e avancuara të kancerit është rritur në SHBA dhe Kinë, Evropa po has vështirësi për të mbajtur ritmin, duke pësuar një rënie të pjesës së tregut gjatë periudhave 2010-2015 dhe 2016-2021.
Rënia më e rëndësishme për aplikantët nga BE-27 ishte në terapi imunitare celulare (-6.2%), ndërsa rënia më e vogël ishte në informatikën shëndetësore dhe acidet nukleike jo-koduese (-4%).
Në krahasim, aplikantët nga SHBA mbajtën ose rritën pjesët e tyre në shumicën e fushave me rritje të lartë, ndërsa aplikantët kinezë panë një rritje të madhe në të gjitha sektorët e teknologjisë që lidhen me kancerin.
Japoni dhe Koreja e Jugut kanë ruajtur një pozicion të qëndrueshëm, megjithëse kanë konkurrencë në rritje nga Kina, e cila po fiton pjesë tregu në kurriz të Japonisë, veçanërisht në informatikën shëndetësore dhe analizën e imazheve, sipas raportit.
Gjetjet e studimit vijnë vetëm një javë pas prezantimit të Kompasit të Konkurrencës të BE-së, një nismë strategjike për forcimin e aftësisë së Evropës për të konkurruar me ekonomitë kryesore të tjera.
“Duke marrë parasysh raportin e Mario Draghi-t për të ardhmen e konkurrencës evropiane, ky studim shërben si një alarm për sistemin e inovacionit onkologjik të Evropës,” tha Presidenti i EPO-së, António Campinos.
Ai shtoi se pasi teknologjitë për luftimin e kancerit po evoluojnë me shpejtësi dhe në mënyra të paparashikueshme, Evropa duhet të reagojë për të mbajtur avantazhin e saj konkurrues në inovacionet shëndetësore. /Gazeta Shneta/



