Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si institucioni bazë për përgatitjen e mjekëve të vendit tonë për dekada me radhë, po qëndron pranë institucioneve të tjera shëndetësore në luftën me pandeminë e koronavirusit, si dhe në shërbim të qytetarëve të vendit.
Përveç stafit akademik të UP-së, të cilët njëkohësisht janë edhe punëtorë shëndetësorë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, UP-ja ka angazhuar vullnetarë, të cilët janë duke dhënë kontributin e tyre në parandalimin e përhapjes së virusit korona në qendra të ndryshme shëndetësore të vendit tone shkruan GazetaShneta.
280 vullnetarë (mjekë të rinj, mjekë specialistë, mbi 55 studentë vullnetarë të Fakultetit të Mjekësisë, infermierë, psikologë, punëtorë socialë etj.);
41 vullnetarë – studentë absolventë të Fakultetit të Mjekësisë, aktivë në qendrat e mjekësivë familjare në vend;
14 vullnetarë – aktualisht po ndihmojnë në Qendrën e Thirrjeve në Fakultetin e Mjekësisë dhe
4 vullnetarë – studentë absolventë në Qendrën e Studentëve;
Shumë vullnetarë të tjerë, studentë të Fakultetit të Mjekësisë, me vendbanim nëpër komuna të Kosovës janë në vazhdimësi duke shprehur dëshirë të ndihmojnë, e që janë duke u evidentuar të angazhohen sipas nevojës
Qendra e Thirrjeve në Fakultetin e Mjekësisë
Qendra e Thirrjeve (UP- IKSHPK-MSH) aktualisht gjendet e pozicionuar në dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë dhe është në shërbim të qytetarëve, duke ofruar informacionet e duhura përmes telefonit.
Në këtë qendër, e cila qëndron e hapur 24 orë në ditë, raportohet të pranohen 200 deri në 300 thirrje brenda ditës, të cilat pranohen nga personeli i IKSHPK-së apo ndonjë nga vullnetarët (mjekë apo studentë) e Fakultetit të Mjekësisë.
Numri kontaktues i qendrës është: 038 200 80 800.Universiteti i Prishtinës vazhdon t’u përgjigjet me profesionalizëm të gjitha kërkesave të institucioneve shëndetësore për ta ndihmuar vendin në situatën e krijuar nga pandemia COVID-19./GazetaShneta/