Mediat e Kosovës po raportojnë për deklarimet anonime të familjeve kosovare që jetojnë në Itali, pas gjendjes alarmante të krijuar nga koronavirusi.
Gazeta inFokus ka raportuar për një familje të bllokuar në banesën e tyre në Bergamo afër Milanos prej tre ditësh duke mos guxuar të dalin jashtë nga frika se sëmuren nga virusi. Kjo familje ka kërkuar të mbetet anonime për shkak të panikut të madhe që po shkaktohet tek familjaret e tjerë që janë në Kosovë.
“Unë jam me familje e mbyllur në banesë që 3 ditë policia italiane na kanë thënë se duhet të qëndrojmë të mbyllur deri me një mars janë të mbyllura shkollat, maketet, vetëm barnatoret punojnë, por ka mungesë të maskave për tu mbrojtur”, ka thënë për gazetën inFokus njëra anëtare e kësaj familje duke bërë të ditur se mund të mbeten edhe për një kohë të gjatë të mbyllur.
Ajo çfarë po i shqetëson tani janë çmimet e maskave dhe alkoolit, të cilat janë rritur shumë pasi ka kërkesë të madhe të tyre.
“Unë dje kam kërkuar një maskë për ta blerë por nuk ka pasur 200 euro kushton një e që çmimi është rritur shumë edhe alkooli është rritur shumë deri në 100 euro shkon alkooli”, ka deklaruar ajo për Gazetën inFokus. Rreth 150 persona janë raportuar të prekur me koronavirus në Itali të dielën, në orët e pasdites, ku edhe u shënuan katër viktima. Përhapja e shpejtë e koronavirusit në Itali ka shkaktuar panik te shqiptarët që jetojnë në këtë shtet, të cilët kanë filluar të marrin rrugën për në Shqipëri e për në Kosovë.