Derisa mjekësia në botë ka arritur majat e sukseseve, Qendra Klinike Universitare e Kosovës promovon rastet e heqjes së kikirikëve nga rrugët e frymëmarrjes tek pacientët e vegjël.
Një rast i tillë u publikua të hënën më 6 janar, ku u tha se fëmijës 1-vjeçar iu shpëtua jeta pas heqjes së copëzave të kikirikut. Për heqjen e kikirikut intervenuan mjekë nga tre klinika, Pediatria, ORL dhe Anestezioni. Por fëmija sërish përfundoi në këtë të fundit.
Edhe pse i ishin hequr copëzat e kikirikëve, fëmija në fakt nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Vogëlushja ishte dërguar në Mjekimin Intensiv e madje kishte pasur nevojë edhe për intubim, shkruan Gazeta Shneta.
Këtë e ka pranuar edhe vet drejtori i Klinikës së ORL-së Dr. Hajdin Thaçi, i cili ka thënë se fëmija është trajtuar në intensivë për shkak të pneumonisë nga prania e trupit të huaj në mushkëri.
“Ne çdo orë dhe çdo ditë kemi qenë të informuar për gjendjen e fëmijës. Gjendja e përgjithshme ka vazhduar të jetë stabile gjatë qëndrimit në mjekim intensiv, ndërsa dje është ekstubuar dhe siç jemi informuar nga mjekimi intensiv, nuk ka nevojë me qenë i lidhur për aparat”.
“Fëmija sa i takon ndërhyrjes endoskopike kurrë nuk do të keqësohet, ndërsa, se a jemi ngutur me tregu si storie suksesi , mendoj se jo, pasi që gjendja e fëmijës vërtetë ka qenë në rrezik, por mendoj se është shpëtuar nga më e keqja. Kemi kryer punën me përkushtim dhe profesionalizëm”, ka deklaruar Thaçi në përgjigjen e tij për Gazetën Shneta.
Në anën tjetër Shefi i Intensives Dr. Shaqir Uka, ka konfirmuar për Gazetën se fëmija po trajtohen ende aty. Ai ka konfirmuar se është hequr nga intubimi dhe gjendja është stabile, por po vazhdon të monitorohet pasi ende ka probleme me frymëmarrje.
Gazeta ka kontaktuar edhe me familjen e vajzës por ata nuk kanë pranuar të flasin derisa fëmija po trajtohet ende në QKUK. /Gazeta Shneta/