Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar mjekët që mbajnë tituj akademik se mund të pajisen me faksimil të cilët përmbajnë edhe titujt shkencor apo akademik.
Ndryshimi i faksimileve vjen pas mbajtjes së Kuvendit të OMK-së më 17 dhjetor ku është miratuar propozim amandamenti i Rregullores për Regjistrim, Licencim dhe Rilicencimin e mjekëve, “ku ndër të tjera është amandamentuar Neni 24 i Rregullores që parasheh përmbajtjen e faksimilet. Në këtë rast Kuvendi ka aprovuar që në faksimil të shtohen edhe gradat shkencore dhe thirrjet akademike për ata që posedojnë atë”, thuhet në njoftimin e OMK-së, shkruan Gazeta Shneta.
Prandaj OMK iu ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që për t’u pajisur me këtë faksimil t’i deponojnë kërkesat e tyre deri më 1 shkurt 2020.
Për t’u pajisur me këtë faksimil, mjekët me thirrje shkencore apo akademike duhet të dorëzojnë edhe vërtetimin juridik të noterizuar. Pagesa për faksimilen e ri do të jetë 10 euro.
Kujtojmë se profesorët e mjekësisë ishin ankuar më parë për faksimilet të cilat nuk përmbanin titujt akademik. Kjo kishte detyruar ata që të përdornin një vulë në praktikën e tyre në klinika, si dhe një tjetër për nevojat e Fakultetit të Mjekësisë. /Gazeta Shneta/