Stresi i përditshëm nuk është vetëm një barrë emocionale, por edhe një kërcënim serioz për shëndetin e zemrës. Sipas ekspertëve kardiologë, reagimet e trupit gjatë stresit si përshpejtimi i rrahjeve të zemrës, rritja e tensionit të gjakut dhe tendosja e muskujve mund të ndikojnë negativisht në funksionin kardiovaskular.
“Nëse stresi është kronik, në trup aktivizohen procese inflamatore dhe rriten nivelet e sheqerit dhe kolesterolit, që rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës,” shpjegon kardiologu Dr. Mohamed Shirazi.
Por një zgjidhje e thjeshtë dhe efektive ekziston: teknika e frymëmarrjes në kuti. Ky ushtrim përbëhet nga një cikël i strukturuar i frymëmarrjes thithni për 4 sekonda, mbani frymën për 4 sekonda, nxirrni frymën për 4 sekonda dhe më pas qëndroni pa marrë frymë për 4 sekonda të tjera të përsëritur për tre minuta.
“Kjo teknikë përdoret shpesh pas situatave stresuese për të rikthyer ritmin normal të frymëmarrjes,” thotë kardiologia Dr. Luiza Spadaro. Ajo thekson se praktika e rregullt ndihmon në zvogëlimin e stresit, përmirësimin e gjumit dhe mbrojtjen e shëndetit të zemrës.
Në nivel fiziologjik, frymëmarrja në kuti aktivizon sistemin nervor parasimpatik, i cili ndihmon në relaksimin e trupit. Kardiologia Dr. Ijeoma Eleazu sqaron se kjo ngadalëson rrahjet e zemrës, ul tensionin e gjakut dhe përmirëson ndryshueshmërinë e ritmit të zemrës tregues ky i balancës në sistemin kardiovaskular.
Dr. Shirazi tregon se këtë teknikë e përdor edhe në shtëpi me fëmijët, për t’i ndihmuar të qetësohen gjatë momenteve të stresit.
Ndërkohë, Dr. Spadaro paralajmëron se frymëmarrja sipërfaqësore, e zakonshme gjatë stresit, e cila kufizon kapacitetin e mushkërive dhe zvogëlon oksigjenimin e gjakut, mund të çojë në rritje të tensionit dhe përshpejtim të rrahjeve të zemrës. Kjo, me kalimin e kohës, mund të dëmtojë edhe funksionet njohëse të trurit.
Në kohë stresuese, “frymëmarrja në kuti” është një aleat i thjeshtë, i natyrshëm dhe i fuqishëm për t’u kthyer në qetësi dhe për të mbrojtur zemrën nga efektet negative të stresit.


