Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është e furnizuar mjaftueshëm me mjete mbrojtëse kundër koronavirusit Covid-19. Gazeta Shneta ka parë dokumentet e distribuimit nga depoja e MSH-së dhe ka mësuar nga burime zyrtare se FSK ka kërkuar furnizim shtesë dy herë
Komiteti i formuar nga Ministria e Shëndetësisë për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me koronavirusin, ka marr disa kërkesa për furnizim me material për mbrojtje nga koronavirusi Covid-19 ku ndër të tjera mjete ka kërkuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Gazeta Shneta ka mësuar nga burime zyrtare brenda MSH-së se FSK kishte bërë një kërkesë me sasi të vogël herën e parë ku edhe kishte pranuar 50 maska FF92, 100 veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë XL dhe XXL, 600 dorëza sterile pa talk me madhësi M dhe 300 të madhësisë L, dhe 60 dezinfektues për duar me dispanser. Gazeta posedon dokumentin e faturës distribuuese nga depoja e MSH-së.
“Prioritet për furnizim janë spitalet dhe punëtorët shëndetësorë. FSK ka pas pak kërkesa për furnizim në takimin e parë për këtë çështje. Ndërkaq pas kërkesës së Presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, FSK ka kërkuar sërish materiale. Nuk e di nëse MSH do të mund t’i plotësojë kërkesat e tyre”, ka deklaruar burimi brenda MSH-së.
Gazeta gjatë ditës së djeshme ka dërguar pyetje në disa adresa të kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes Anton Quni, por asnjë nga anëtarët e kabinetit dhe zyrtarët për informim nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet nëse FSK është e furnizuar me mjete mbrojtëse nga koronavirusi.
Kujtojmë se nga kërkesa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mbrëmë është tërhequr edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaqi. “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe kufizuar përhapjen e virusit COVID-19. Policia është duke e kryer me përpikëri punën e vet dhe duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara nga virusi COVID-19. Rolin kryesor tani e kanë qytetarët”, ka deklaruar Presidenti.
Gazeta ka dërguar pyetje dhe në Ministrinë e Shëndetësisë për të konfirmuar kërkesat për furnizim që i kanë pasur nga FSK si dhe nëse e kanë furnizuar me më tepër materiale sesa nga hera e parë e cekur më lart, por ende nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Shneta/