Gabimet e mjekimit të ADHD janë rritur gati 300% në Shtetet e Bashkuara në dy dekadat e fundit. Në vitin 2021, gabime të tilla dëmtonin një fëmijë çdo 100 minuta, zbulon një studim.
Çrregullimi i deficitit të vëmendjes/hiperaktivitetit (ADHD) është një nga çrregullimet neurozhvillimore më të zakonshme pediatrike, duke prekur gati 10% të fëmijëve në Shtetet e Bashkuara sipas të dhënave të 2019-ës, shkruan Health News përcjell Gazeta Shneta.
Rreth 3.3 milionë fëmijë, ose afërsisht 5 në çdo 100 fëmijë në SHBA, aktualisht u përshkruhen medikamente për ADHD.
Një studim i ri i publikuar në revistën “Pediatrics” zbuloi se numri vjetor i gabimeve të mjekimit të lidhura me ADHD u rrit 299% nga viti 2000 në 2021.
Vetëm në vitin 2021 janë raportuar 5235 gabime mjekimi, ku fëmijët e grupmoshës 6-12 vjeç përbëjnë 67% të rasteve. Pothuajse të gjitha (93%) e ekspozimeve kanë ndodhur në shtëpi.
Dr. Gary Smith, thotë se meshkujt janë më të prekur nga gabimet e mjekimit sepse normat e diagnozës së ADHD janë më të larta tek djemtë sesa tek vajzat.
“Ne nuk jemi në dijeni të të dhënave që tregojnë se ofruesit e kujdesit shëndetësor u bënë më të prirur për t’i përshkruar ilaçe një fëmije me diagnozën e ADHD gjatë 2 dekadave të fundit. Prandaj, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë nëse ndryshimet në praktikat e përshkrimit mund të kenë kontribuar në rritjen e vërejtur të gabimeve të mjekimit të ADHD”, tha ai për Healthnews.
Edhe pse në 83% të rasteve, individi nuk mori trajtim në një institucion shëndetësor, 2,3% e gabimeve të mjekimit rezultuan në pranim në një institucion shëndetësor, duke përfshirë 0,8% në një njësi të kujdesit kritik. Për më tepër, 4.2% e rasteve u shoqëruan me një rezultat serioz mjekësor, si agjitacion, dridhje, kriza dhe ndryshime në statusin mendor.
Autorët e studimit thonë se gabimet e mjekimit të ADHD mund të parandalohen duke edukuar prindërit dhe kujdestarët dhe duke zhvilluar sisteme të përmirësuara të shpërndarjes dhe gjurmimit të ilaçeve rezistente ndaj fëmijëve. /Gazeta Shneta/


