18 peceta higjienike të mbuluara me gazeta, fustan i ilustruar përmes gazetave, vathë në formë të tamponëve, flokë të gjata të rregulluara gërshetë e melodia në prapavijë të tërheqin vëmendjen në momentin që fillon të shikosh videon performuese të artistës feministe, Ms. Indefinite.
Përmes kësaj performance rreth shtatë minutshe, artistja me emrin artistik, Ms.Indefinite, ka shprehur pakënaqësin për 18 përqind të taksave për pecetat higjienike të nevojshme për ciklin menstrual të grave e të cilat nuk bëjnë pjesë në produktet esenciale.
“Me gjakë e prej gjaku kemi lind, zhvesh n’anin e nanës, vesh n’syt e babës. Pa dhimbje, prej dhimbjeve taksohemi 18 për qind”, fillon poezinë artistja.
“Mesazhi alegorik i gazetave shpërfaqë në mënyrë kritike simbolikën e steriotipzuar të mentalitetit dhe kulturës sonë ndaj mbështjelljes së “turpit” për dhe rreth produkteve menstruale dhe vet ciklit menstrual, që jo në pak raste ende mund të e hasim secila nga ne kur pecetat higjienike na ofrohen në markete, qoftë të mbështjellura qoftë në ndonjë qese jo transparente – ngjyrë të zezë”, shprehet ajo përderisa tregon arsyen pse në performancën e saj ka vendosur të bëjnë pjesë edhe gazetat.
Gjatë performancës Ms. Indefinite shqyen 18 pecetat higjienike të mbështjellura me gazeta, përmes së cilët “zhvesh turpin” dhe kundërshton varfërinë menstruale dhe stigmatizimin e menstruacioneve “taksa për menstruacionet tona është seksiste, pasi që secila grua ka të drejtë të këtë qasje në produkte menstruale dhe të ketë shëndet të mirë menstrual, shëndeti menstrual nuk është vetëm çështje e grave, është çështje e shëndetit publik”, potencon ajo për Gazetën Shneta.
Ajo gjithashtu sqaron se video-performanca “Gjaku ynë, taksa juaj” është realizuar në kuadër të kampanjës #pecetanukështëluks, të organizauar nga organizata “QIKA”, në shënimin e ditës ndërkombëtare të shëndetit menstrual./Gazeta Shneta/