Një studim i madh me binjakë identikë tregon se gjenet e njeriut ndikojnë në ndjeshmërinë ndaj përvojave jetësore, çka mund të rrisë ose të ulë rrezikun për probleme të shëndetit mendor.
Pyetja e famshme “a ndikon më shumë natyra apo edukimi në mënyrën se si formohemi si njerëz?” vazhdon të jetë në qendër të kërkimeve shkencore.
Shkencëtarët kanë besuar prej kohësh se një kombinim i gjeneve dhe mjedisit – dieta, stili i jetesës, ngjarjet traumatike dhe shumë faktorë të tjerë – ndikojnë në personalitetin dhe në shëndetin tonë, shkruan burimi Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Tani, një studim i ri tregon se ka një hap shtesë në këtë proces: gjenet ndikojnë në mënyrën se si ne reagojmë ndaj përvojave jetësore – dhe këto rrugë ndikimi e bëjnë më të mundshme ose më pak të mundshme përballjen me çrregullime psikologjike të ndryshme.
Studimi, i publikuar në revistën “Nature Human Behaviour”, analizoi të dhëna nga pothuajse 22,000 binjakë identikë në 11 studime të ndryshme, në atë që konsiderohet si studimi më i madh deri më sot që harton të gjithë ADN-në e binjakëve identikë.
Studiuesit zbuluan lidhje gjenetike dhe mjedisore me një sërë çrregullimesh, përfshirë ankthin, depresionin, përjetime psikotike, neuroticizmin, autizmin dhe çrregullimin e mungesës së vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD).
“Këto gjetje konfirmojnë se gjenet ndikojnë në tiparet psikiatrike dhe neurozhvillimore pjesërisht përmes mënyrës se si njerëzit reagojnë ndaj botës përreth tyre,” tha Thalia Eley, njëra nga autoret e studimit dhe profesore e gjenetikës së sjelljes zhvillimore në King’s College London. /Gazeta Shneta/


