Në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, mbrëmjen e sotme rreth orës 19:55 ka kërkuar ndihmë mjekësore një fëmijë 12-vjeçar, i gjinisë mashkullore, si pasojë e goditjes nga një automjet.
Sipas njoftimit të spitalit, ekipi mjekësor ka reaguar menjëherë duke ofruar ekzaminim emergjent dhe masa reanimatore. Në bashkëpunim me Shërbimin e Radiologjisë është realizuar Tomografia e Kompjuterizuar (CT), si dhe janë kryer analizat e nevojshme laboratorike. Gjithashtu, rasti është konsultuar edhe me mjekun kujdestar ortoped.
Pas vlerësimit mjekësor, është konstatuar se fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Megjithatë, për shkak të lëndimeve në pjesën e fytyrës dhe sinuseve, ai është referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për konsultime të mëtejshme me specialistët e Neurokirurgjisë dhe Kirurgjisë Maksilofaciale.
Nga spitali bëhet e ditur se gjendja e fëmijës është stabile dhe po trajtohet sipas protokolleve mjekësore. /Gazeta Shneta/



