Dr. Genc Macula gjinekolog-obsteter, në një intervistë për Gazetën Shneta ka folur mbi testet e shtatzënisë dhe sigurinë mbi shëndetin e foshnjës në barkun e nënës.
Dr. Macula ka treguar një rast me të cilin është përballë vet, kur një nënë kryen dy ‘triple-teste’ në laboratorë të ndryshme dhe që të dyja i japin rezultate të rrezikshmërisë së lartë.
“Shpresat e saj ishin shumë të vogla për atë shtatzëni, megjithëse unë nuk vëreja ndonjë ndryshim ultrasonik (patognomik) insistova gjithsesi në testin NIFTY, ndonëse testi ishte në fillimet e tij që aplikohej në këtë territor rezultati i cili erdh ishte me rrezikshmëri të ulët. Unë i thashë që është e sigurtë që fëmija është i shëndoshë, ajo insistoi dhe në amniocintezë që kërkoi ta realizonte në një qendër tjetër por rezultati që erdh nga kjo e fundit u përputh plotësisht me atë të testit NIFTY”, ka treguar Dr. Macula.
Por çfarë është testi NIFTY?
Gjinekologu tregon se ky test prenatal është jo-invaziv i cili ofron mundësinë e analizës së plotë të ADN-së që rezulton me zbulimet e çrregullimeve eventuale kromozomale. Testi bazohet në ekzaminimin e fragmenteve të ADN-së ekstra celulare të frytit që qarkullojnë në gjakun e nënës gjatë shtatzënisë, në gjak qarkullojnë edhe fragmente të ADN-së ekstra celulare të nënës por gjatë testimit bëhet ndarja e tyre.
Mjeku tregon se Testi NIFTY rekomandohet të bëhet: Tek shtatzënat mbi moshën 35-vjeçare e posaçërisht tek shtatzënia e parë në këtë moshë.
“Tek shtatzënat të cilat paraprakisht kanë pasur çrregullime kromozomale; Aty ku është e nevojshme të konfirmohen testet e mëparshme (triple test, double test etj) që kanë dalë me rrezikshmëri të lartë; Tek rastet kur dyshohet gjatë ekzaminimit ultrasonik në T21, T18 ose T13; Tek gratë shtatzëna ku kanë shtatzëni të asistuar (IVF); Tek gratë të cilat kanë aborte spontane të përsëritura; Tek rastet kur nuk mund të kryhen procedurat invazive ose ka kontraindikacion siç është placenta previa, provokimi i abortit spontan, infeksioni me HBV”, ka treguar gjinekologu Macula.
Tutje ai thotë se Testi NIFTY rekomandohet prej javës 10-të të shtatzënisë deri në javën e 32-të por rëndësinë e ka deri në javën e 24-të. Macula tregon se saktësia e testit dhe siguria e tij është afër 99 %.
“Të them të vërtetën në disa raste e kemi vërtetuar kur testi ka dalë i dyshimtë dhe është dashur të behet amniocenteza, është bërë dhe rezultatet kanë qenë 100 % të përputhshme me të, për këtë flas me përgjegjshmëri të plotë nga rastet në rrafshin personal”, deklaron Macula.
Krejt në fund gjinekologu ka thënë se numri i grave që e kryejnë testin NIFTY është në rritje, pasi shumë prej tyre e kryejnë edhe vullnetarisht. /Gazeta Shneta/
Për Testin NIFTY mund të mësoni më shumë duke klikuar në KËTU