Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favor të ish-kryetares së Odës së Mjekëve të Kosovës, Dr. Zylfije Hundozi, për kompensimin e pagave për mandatin e saj të plotë trevjeçar. Ndonëse me Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, ky detyrim i takonte MSH-së, Gjykata e ka ngarkuar edhe OMK-në. Kjo e fundit e ka quajtur vendim kontradiktor dhe vërsulje ndaj buxhetit i cili mblidhet nga anëtarët e saj
Dr. Zylfije Hundozi ishte përzgjedhur kryetare e Odës së Mjekëve të Kosovës në vitin 2014. Gjatë mandatit të saj trevjeçar deri në fund të vitit 2017, Hundozi kishte miratuar disa rregullore dhe kishte mbajtur disa kuvende, por nuk kishte arritur të regjistronte anëtarësinë dhe si rezultat kishte dorëzuar mandatin me vetëm 25 euro në llogarinë zyrtare të Odës. Por Gjykata ka vendosur që ajo të kompensohet me mbi 41 mijë euro nga OMK, buxheti i së cilës mblidhet nga regjistrimi i anëtarësisë të cilët Hundozi nuk e kishte realizuar asnjëherë gjatë mandatit të saj.
Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të cilin e posedon Gazeta Shneta, thuhet se Hundozi është përzgjedhur kryetare nga zgjedhjet e Kuvendit dhe kjo nuk është kontestuar nga askush. Gjykata ka theksuar se ky vendim i Kuvendit ishte miratuar edhe nga Ministri i Shëndetësisë. Kësisoj Gjykata e ka aprovuar si të bazuar në tërësi padinë e Hundozit duke obliguar MSH-në dhe OMK-në që t’ia kompensojnë pagat asaj nga mbajtja e zgjedhjeve më 10.11.2013 deri në përfundim të mandatit më 14.12.2017. Kjo i bie që Hundozi të përfitojë mbi 41 mijë euro, duke shtuar edhe rreth 5 mijë euro për kontributin pensional e poashtu t’i paguhen edhe shpenzimet në gjykatë me mbi 1,500 euro.
OMK e ka kundërshtuar këtë vendim të Gjykatës të cilin e ka quajtur të padrejtë dhe të pabazuar. “Kontradikta themelore në këtë vendim konsiston mbi bazën juridike mbi të cilën e ka mbështetur Gjykata vendimin e saj, respektivisht titullin juridik për njohjen e kompensimit të tillë. Pra është Vendimi 88/14 i datës 01.12.2014 i nënshkruar nga Ministri i Shëndetësisë, dr. Ferid Agani, i cili përmes këtij vendimi ka përcaktuar kompensimin për kryetarët e odave në lartësi prej 1,000.00 euro. Ky vendim, përveç se është keqinterpretuar nga ana e Gjykatës, të njëjtit i është dhënë fuqia prapavepruese. Kjo për faktin se kompensimi i është njohur paditëses në bazë të këtij vendimi për periudhë në të cilën nuk është nxjerrë vendimi i tillë”, thuhet në përgjigjen e OMK-së për Gazetën Shneta.
Zyrtarët e OMK-së po ashtu kanë theksuar se Ligji për Odat ka obliguar MSH-në që t’i paguaj kryetarët e odave në tre vitet e para. “Gjykata nuk ka marr parasysh dispozitat e qarta ligjore nga Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësore, sipas të cilave për 3 vite radhazi mjetet financiare do të duhej të ndaheshin nga Buxheti i Kosovës për funksionalizimin e odave të profesionistëve shëndetësor. Që i bie se barra në rastin konkret, nga nxjerrja e Vendimit 88/14 i cili ishte nxjerrur me 1 dhjetor 2014, ka qenë obligim i Ministrisë së Shëndetësisë që të përmbush detyrimet e tilla financiare. Mjetet të tilla financiare asnjëherë nuk janë derdhur në xhirollogarinë e Odës”, thuhet në përgjigjen e OMK-së për Gazetën Shneta.
“Për tri (3) vitet e para kalimtare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, mjetet sigurohen nga Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë në pajtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë”, thuhet në pikën 1.1 të nenit 41 të Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë të miratuar në vitin 2013.
Për OMK-në mbetet e paqartë pse duhet të ngarkohet solidarisht së bashku me MSH-në, kur kjo e fundit nuk e ka ndërmarr asnjëherë asnjë veprim. “Gjykata në vendimin e saj, nuk e ka mbështetur me asnjë sentencë të vetme pse Oda e Mjekëve duhet të përgjigjet solidarisht së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë për një detyrim për të cilin ajo asnjëherë nuk ka ndërmarr asnjë veprim të vetëm. Gjykata gjatë trajtimit të kësaj çështjeje kontestimore, ndonëse e ka patur në kuadrin e provave të administruara ekspertizën financiare me të cilën si si përgjegjësja e vetme është konstatuar Ministria e Shëndetësisë, një fakt të tillë nuk e ka marr parasysh fare dhe në mënyrë të njëanshme pa i vlerësuar provat dhe thëniet gjatë shqyrtimit gjyqësor, ka vendosur në mënyrë të padrejtë dhe denigruese”.
Ish-kryetarja e OMK-së, dr. Zylfije Hunodzi, e ka iniciuar një proces të tillë në vitin 2015, gjatë mandatit sa ka qenë kryetare e Odës, në padinë e së cilës ka përfshirë vetëm Ministrinë e Shëndetëdsisë si e paditur e vetme. Vetëm në vitin 2018 pasi ka plotësuar padinë e saj dhe ka përfunduar mandatin e saj, ish-Kryetarja e ka përfshirë Odën e Mjekëve në këtë kontest gjyqësor.
“Në dhjetor të vitit 2017, kur e njëjta ka dorëzuar detyrën, e ka nënshkruar Aktin e Dorëzim-Pranimit të Detyrës së Kryetarit të OMK-së, dokument në të cilin, edhe me nënshkrimin e saj e ka vërtetuar se OMK-ja nuk ka asnjë detyrim financiar në raport me palët e treta. Madje deri në ditët e sotme, ajo nuk ka paraqitur asnjë kërkesë të vetme pranë Odës dhe organeve të saj, pretendimin të cilin e ka paraqitur në Gjykatë, kinse Oda i ka mbetur borxh të njëjtës për shkak të pagave të pakompensuara”, kanë deklaruar nga OMK.
Zyrtarët e Odës tutje kanë sqaruar se Hundozi gjatë gjithë mandatit të saj nuk ka arritur as minimumin e detyrimeve ligjore dhe statutore sa i përkasin detyrës dhe funksionit të kryetarit të Odës, t’i realizojë.
“I bie se po mjaftonte marrja e mandatit për t’i gëzuar privilegjet nga funksioni i cili ka qëllim publik dhe në interes të përgjithshëm. Nëse ekziston një minimalitet i etikës dhe ndjesisë njerëzore, dhe jo vetëm vërsulje ndaj të mjeteve financiare që burojnë nga të ardhurat e mjekëve, atëherë këtë ua lëmë në nder personit dhe personave në fjalë. Pa e lëvizë asnjë gur, e t’i kërkosh privilegjet në barrë të kolegëve tuaj, është paturpësi dhe poshtërsi për nga përmbajtja por edhe për nga mënyra e kërkesës së tillë”.
“Gjatë mandatit të Dr. Hundozit nuk është bërë regjistrimi i anëtarësisë prandaj rrjedhimisht nuk ka pasur anëtarësi dhe as nuk ka pasur buxhet të mbledhur. Mandati i saj ka përfunduar me 25.00 euro!”, thuhet në përgjigjen e OMK-së.
Në anën tjetër nga MSH kanë thënë se kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe nuk do të ndërmarrin asnjë vendim rreth këtij rasti derisa të përfundoj procesi i apelit.
Gazeta ka kontaktuar edhe Hundozin për t’i marr një qëndrim, por ajo nuk është përgjigjur në thirrjet dhe as në mesazhin telefonik. /Gazeta Shneta/