Gjykata Themelore e Prishtinës ka liruar nga aktakuza ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajn si dhe pesë të akuzuarit e tjerë me rastin ku ngarkoheshin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”
Lajmi është konfirmuar nga avokati i Ilir Tolajt, Besnik Berisha për gazetën ‘Sinjali’, i cili ka thënë se gjatë ditës së sotme Gjykata Themelore e Prishtinës ka liruar nga aktakuza klientin e tij, si dhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha e Bujar Bukoshi akuzoheshin për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit”, nga neni 339 i Kodit të Përkohshëm Penal, aktualisht e penalizuar me paragrafin 1 të nenit 422 dhe 423 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal.
Në aktakuzë thuhet se Ilir Tolaj, Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH)dhe Arbenita Pajaziti, zyrtare për furnizim në MSH, mes datës 26 shtator 2007 dhe 1 tetor 2007, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare duke lejuar në kontratë ligjërisht të detyrueshme me “Jona Med” të kalonte pa respektuar kushtet dhe kriteret e saj.