Gjyqi i Nderit i Odës së Mjekëve të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Këshillit Etik në rastin e Dr. Zaim Gashit – drejtor i Klinikës së Gastroenterologjisë në QKUK, i cili u dënua me 200 euro gjobë dhe Vërejtje kolegiale pasi u evidentua se i njëjti punoi pa licencë për më shumë se 2 muaj.
“Gjyqi i Nderit si organ i shkallës së dytë pas vlerësimit të pretendimeve ankimore të të paraqiturit, duke vlerësuar shkresat e lëndës dhe rrjedhën e procedurës disiplinore bashkë me vendimin e goditur të Këshillit Etik ka gjetur se Këshillit Etik ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat materiale dhe procedurale gjatë shqyrtimit të çështjes etike, duke bërë vlerësim objektiv të rrethanave gjegjëse të çështjes dhe duke zbatuar normat konkrete materiale që i përgjigjen premisave normative që janë të përcaktuara me aktet normative të OMK-së”, thuhet në arsyetimin e Gjyqit të Nderit.
Në anën tjetër Gashi ishte ankuar se Këshilli Etik kishte aplikuar në mënyrë të gabuar Nenin 71 të Ligjit për Shëndetësi, dhe po ashtu nuk ishin marr parasyshë rrethanat lehtësuese ndërsa ka pretenduar se vonesa në rilicencimin e tij ka qenë vetëm 30 ditë. Gazeta ka kontaktuar Gashin në telefon, por i njëjti nuk ka pasur qasje dhe nuk ka kthyer përgjigje as me mesazh.
Por Gjyqi i Nderit ka konstatuar në bazë të skadimit të licencës dhe rilicencimit, periudha kohore ka qenë dy muaj e 10 ditë. “Në këtë periudhë asnjë mjek nuk duhet të ofrojë shërbim shëndetësor, përjashtimit të rasteve urgjente”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjyqit të Nderit. /Gazeta Shneta/