Rebecca Fadanelli, 38 vjeç, është akuzuar për rrezikimin e pacientëve të pafajshëm duke u paraqitur si infermiere dhe më pas duke administruar mijëra injeksione të paligjshme dhe të falsifikuara, thanë prokurorët.
Fadanelli, që është pronare e Skin Beauté Med Spa në Stoughton, Massachusetts, është akuzuar për importimin e paligjshëm të ilaçeve, një akuzë për shpërndarjen e ilaçeve të falsifikuara dhe një akuzë për shitjen ose shpërndarjen e pajisjeve të falsifikuara. Ajo është caktuar të paraqitet përpara një gjykatësi federal më 14 nëntor në Worcester, shkruan NBC, transmeton Gazeta Shneta.
Ajo është akuzuar për administrimin e Botox-it të falsifikuar, Sculptra dhe Juvederm, që i kishte marrë nga Kina dhe Brazili. Që nga marsi i vitit 2021, Fadanelli ka kryer rreth 1,631 takime për Botox, duke fituar 522,869 dollarë nga pagesat e klientëve dhe 1,085 takime për mbushës të tjerë, me një total prej 410,545 dollarësh nga pagesat e klientëve, sipas prokurorëve federalë.
Në një intervistë me agjentët, Fadanelli ka thënë se nuk ka pretenduar kurrë të ishte infermiere dhe se nuk ka bërë vetë injeksionet, por prokurorët thonë se kjo është në kundërshtim me dëshmitë e siguruara gjatë hetimit.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) lëshuan një paralajmërim në qershor për konsumatorët në lidhje me “reaksionet e dëmshme” që mund të ndodhin te ata që morën injeksione me Botox të falsifikuar ose që u trajtuan keq.
CDC ka regjistruar raste të tilla në disa shtete si Kaliforni, Kolorado, Floridë dhe Teksas, që shkaktuan shqetësime të ndryshme shëndetësore, si shikim të mjegullt, fjalim të ngadaltë dhe vështirësi në frymëmarrje./ Gazeta Shneta/


