Një studim i ri zbulon se COVID-i i zgjatur mund të ndikojë në ciklet menstruale të grave.
Dr. Jacqueline Maybin nga Universiteti i Edinburghut tha se gjatë pandemisë, shumë paciente raportuan ndryshime të dukshme në menstruacionet e tyre pas infektimit me COVID-19, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Për të verifikuar këto ankesa, ekipi i saj anketoi rreth 12,000 gra në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë mbi 1,000 me COVID të zgjatur.
Gratë raportuan cikle më të gjata dhe më të rënda, si dhe gjakderdhje ndërmjet menstruacioneve, ndërsa ato që ishin shëruar nga COVID-19 patën ndërprerje minimale.
Ndryshimet menstruale mund të kenë pasoja për shëndetin e grave, duke rritur rrezikun e mungesës së hekurit, e cila shkakton lodhje, dhimbje koke dhe vështirësi në frymëmarrje – simptoma që përkojnë me ato të COVID-it të zgjatur.
Studimi gjithashtu tregoi se simptomat e COVID-it të zgjatur ndryshojnë gjatë ciklit menstrual: përkeqësohen pak para menstruacioneve dhe gjatë fazës proliferative.
Analizat preliminare treguan inflamacion të endometriumit dhe çrregullime hormonale, që mund të kontribuojnë në gjakderdhje jo normale dhe përkeqësimin e simptomave.
Ekspertët theksojnë se COVID-i i zgjatur nuk duket të ndikojë në fertilitet, por sugjerojnë se ndryshimet menstruale duhet të monitorohen dhe trajtohen shpejt.
Gratë që përjetojnë cikle të rënda ose të parregullta duhet të konsultohen me mjekun e tyre të kujdesit parësor për të parandaluar komplikime dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës. /Gazeta Shneta/


